Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në kuadër të Procesit të Bërdo-Briono që këtë vit po mbahet në Tivat të Malit të Zi.
Në njoftimin e Zyrës së Presidentes, bëhet e ditur se Osmani tha se takimi u mbajt për t’i koordinuar qëndrimet e dy shteteve simotra.
"Sot në Tivat, me Presidetin Bajram Begaj, për t’i koordinuar qëndrimet e dy shteteve tona simotra, në të mirë të qytetarëve tanë dhe të ardhmes sonë euroatlantike", theksoi Osmani.
Takimi vjetor i liderëve në kuadër të Procesit Bërdo Brione do të fokusohet në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE) dhe rëndësinë e anëtarësimit të rajonit në BE.
Në sesionin kryesor të liderëve, presidentja Osmani do të flasë për përkushtimin e Kosovës për integrim të plotë në institucionet euroatlantike, për paqe dhe siguri të qëndrueshme, si dhe për bashkëpunim rajonal.