Kuvendi i Shqipërisë po diskuton sot mbi kontratën e Qeverisë me investitorët për ndërtimin e Portit të Durrësit. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se është krenar me kontratën e arritur pas shumë përpjekjeve me investitorin. Porti i Durrësit do të jetë një motor ekonomik që do të sjellë një vlerë prej 8 miliardë euro në Prodhimin Bruto Vendor.
“Janë pranuar vetëm 5 nga 33 kërkesa fillestare të investitorit, i cili na ballafaqonte pa pushim me kontrata të ngjashme në vende të tjera dhe ne këmbëngulnim pa pushim për atë që donim deri në fund. Deri te marrëveshja për investimin më të madh të huaj edhe në historinë e rajonit tonë, i cili sipas fazave do të jetë motor ekonomik me një kontribut 8 miliardë euro në PBV”, tha Rama.
Por, opozita akuzon Qeverinë se po i fal tokë investitorit.
Kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Enkelejd Alibeaj, deklaroi se me projektin e Portit të ri të Durrësit po falen 818 mijë m2 truall të zemrës së Shqipërisë.
“Ardhka ky këtu dhe harxhon 160 milionë milionë euro dhe ti i fal 730 milionë euro nga pasuria e shqiptarëve, 818 mijë m2 të zemrës së Shqipërisë, ia kafshon këtë pjesë të truallit të Shqipërisë dhe e fal për sadaka. 400 milionë euro është vetëm vlera e truallit. Po ç’është ky kaq i pasur që na paska nevojë që ti t’i falësh 160 milionë nga taksa e ndërtimit në infrastrukturë”, tha Alibeaj.
Kryeministri Rama akuzoi PD-në se nuk ka bërë asgjë për portin e Durrësit dhe ka lejuar që investitorët e interesuar të ikin në Mal të Zi, shtet i cili po sheh shumë benefite ekonomike që kur është ndërtuar porti.