Projekti i hekurudhës Durrës – Prishtinë, merr dritë jeshile në Kosovë

Projekti i hekurudhës Durrës – Prishtinë, merr dritë jeshile në Kosovë

Pozita dhe opozita në Kuvendin e Kosovës bëhen bashkë
Projekti i hekurudhës Durrës – Prishtinë, merr dritë jeshile në Kosovë     Foto:

Kuvendi i Republikës së Kosovës, me 83 “për” e miratoi Projektligji për Marrëveshjen e Bashkëfinancimit për Studimin e Fizibilitetit për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë. Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, përmes një shkrimi në Facebook, njoftoi se qëllimi i këtij projektligji është përcaktimi i procedurave dhe ndarja e kostove në mes dy vendeve për financimin, studimin e fizibilitetit dhe projektit për linjën hekurudhore.
“Kosto totale për realizimin e Studimit te Fizibilitetit dhe hartimit të Projekt – Idesë për ndërtimin e linjës hekurudhore Shqipëri – Kosovë, parashikohet të jetë rreth 1,980,000 (një milion e nëntëqind e tetëdhjetë mijë) Euro. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë do të ndaj shumën prej 1,000,000 (një milion) Euro, ose rreth 51% të kostos totale, ndërsa ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Republikës së Kosovës do të ndaj shumën prej 980,000 (nëntëqind e tetëdhjetë mijë) Euro, ose 49% të kostos totale”, njoftoi ministri Aliu.

Sipas Aliut, kjo kosto është parashikuar në buxhetin e vitit 2022 të MMPH-së. Votimin e këtij ligji e kanë mbështetur edhe deputetët e opozitës në Kuvendin e Kosovës.

TRT Balkan