Republika e Kosovës është e gatshme të kontribuojë në deeskalim e situatës në veri të Kosovës, shkruan në Facebook së fundmi kryeministri i Kosovës Albin Kurti, teksa i numëron hapat që i konsiderojnë të nevojshme për deeskalimin dhe stabilitetin në rajon.
“Ne besojmë se duhet të ndërmerren veprime urgjente drejt këtij qëllimi dhe jemi të etur dhe të gatshëm të angazhohemi për hapa konkretë që mbështesin qëllimet e deeskalimit dhe stabilitetit në rajon”, shkruan Kurti.
Katër prej pikave që iu referohet kryeministri i Kosovës Kurti kanë të bëjnë me vetë ata, ndërsa katër të tjera me Serbinë.
“Reduktimi i pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre, gradualisht dhe proporcionalisht me reduktimin e dhunës. Qasja e plotë në proceset gjyqësore të kryesve të dhunës, dhe monitorimi i proceseve, nga ana e EULEX-it dhe OJQ-ve të interesuara të të drejtave të njeriut. Zgjedhje të parakohshme aktivizohen në katër komunat veriore nga një peticion për tërheqje i përkrahur nga të paktën 20 për qind të elektoratit, siç parashihet në legjislacionin e Kosovës. Pas konfirmimit që janë përmbushur kërkesat për tërheqje, data e zgjedhjeve shpallet nga Presidentja. Katër kryetarët e komunave në fjalë do të udhëzohen që t’ua dorëzojnë autoritetin e tyre kretarëve të rinj të komunave pas certifikimit nga KQZ-ja në përputhje me legjislacionin e Kosovës”, shkruan Kurti.
Ndërkohë nga Serbia, siç shkruan Kurti, presin tërheqjen e protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre, zotimin për bashkëpunim në paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesve nga ana e Kosovës, me monitorim nga ana e EULEX-it dhe garanci të plota për gjykim të drejtë, reduktimi të gatishmërisë së forcave të armatosura në nivel të ulët, asnjë lëvizje e re e trupave, heqja e 48 Bazave të Përparme Operative që ndodhen përgjatë kufirit dhe Serbia të mos pengojë apo ndërhyjë në të drejtën e qytetarëve të përkatësisë serbe të Kosovës dhe të gjitha partive politike për të marrë pjesë lirshëm, pa asnjë frikësim, detyrim ose ndikim korruptiv, në procesin e zgjedhjeve lokale të Kosovës.
Propozimet në fjalë sipas Kurtit një javë më parë u janë dorëzuar Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Josep Borrellit.