Mbrëmë në Podgoricë u mbajtën protestat e katërta me radhë të organizuara nga lëvizja "Ne ekzistojmë", në kundërshtim të Ligjit për Presidentin, të propozuar nga qeveria aktuale. Protestuesit kërkojnë marrëveshje të menjëhershme për zgjedhjen e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese si dhe caktimin e datës për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Në protestën e mbajtur para Parlamentit të Malit të Zi, sipas vlerësimit të organizatorëve, ishin mbledhur rreth 20 mijë qytetarë. Tubimi filloi me intonimin e himnit të Malit të Zi ndërsa qytetarët mbanin pankarta me mbishkrimet: "Ne ekzistojmë", "Nuk të japim Mali i Zi", "Nuk ka më zgjidhje, shkojmë në zgjedhje", "Jemi këtu për Malin e Zi, për BE-në".
Protestuesve iu drejtua gazetarja Tanja Paviçeviq e cila tha se më shumë se dy vite "kemi duruar shkeljet, paligjshmërinë dhe shkatërrimin e shtetit tonë për interesa të të tjerëve".
"Shohim rrënimin e vetëdijshëm dhe qëllimkeq të institucioneve, partitokracinë e paskrupullt, nëpërkëmbjen e Kushtetutës. E gjithë kjo, për të na çuar të ndarë, të zhveshur, të varfëruar, sa më larg nga ëndrra e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Këtu jemi për t'i thënë Dritan Abazoviqit dhe shërbëtorëve të tjerë të Vuçiqit që në vend të 'Ballkanit të Hapur', të zgjedhim Evropën e hapur dhe në vend të botës serbe, vetëm botën", tha Paviçeviq.
Paviçeviq theksoi se qytetarët janë zgjuar dhe nuk do të lejojnë asimilimin e plotë nën këmbët e Serbisë.
Nënkryetari dhe deputeti i DPS-së, Jevto Erakoviç tha se "kjo është një luftë për mbijetesën e Malit të Zi".
"Kjo nuk është vetëm luftë politike, kjo është luftë për mbijetesën e Malit të Zi. Kjo pranverë duhet të jetë malazeze, pranvera e zgjedhjeve. Le të gjëmojë, le të vërshojnë rrugët malazeze për të larë këtë pisllëk. Zgjohu Mali i Zi, pranvera malazeze po vjen", tha Erakoviç.
Në protestë morën pjesë përfaqësues të DPS-së, kryetari i Komunës së Podgoricës, Ivan Vukoviç, anëtarë të Partisë Liberale, SD, SDP. Në protestën e mbrëmshme ishte edhe Mitropoliti i Kishës Ortodokse Malazeze, Mihailo.
Pas fjalimeve, qytetarët bënë një marsh proteste deri te godina e Delegacionit të BE-së në Mal të Zi.