Protesta e serbëve, Kurti: Ta bëjmë urën e Ibrit simbol të normalizimit /         Foto: AA 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas protestës së mbajtur nga qytetarët serbë në veri të Mitrovicës të cilët kundërshtuan hapjen e urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve.

Në një postim në Facebook, kryeministri kosovar Albin Kurti tha se protesta kaloi pa incidente, andaj për këtë falënderoi institucionet e sigurisë për garantimin e rendit dhe qetësisë gjatë protestës.

“Protestat janë e drejtë demokratike të cilën e gëzojnë dhe mund ta ushtrojnë të gjithë qytetarët e Republikës sonë, pa dallim. Komuna e Mitrovicës së Veriut nesër prej orës 11:00, në hapësirat e Kuvendit Komunal, organizon takim dhe bashkëbisedim me qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave lokale me temën ‘Bashkëpunimi ndëretnik, këshillim komunal për siguri në bashkësi, bashkëpunimi në mes të institucioneve dhe shoqërisë civile’”, tha Kurti.

Ai ka ftuar qytetarët e komunitetit serb që të marrin pjesë në këtë diskutim të përbashkët në të cilin do të mund të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës.

“Për shumë gjatë Ura e Mitrovicës mbi Ibër na ka mbajtur në distancë. Asaj padrejtësisht i është dhënë epiteti i ndasisë dhe marrëdhënieve jonormale. Urat na bashkojnë, e bashkë le ta bëjmë atë simbol të normalizimit”, shkroi Kurti në llogarinë e tij në Facebook.

TRT Balkan