Protestë e transportuesve privatë në Shkup, kërkojnë shlyerjen e borxhit.     Foto: AA

Dy kompanitë që përfaqësojnë transportuesit privatë në Shkup, "Sloboda Prevoz" dhe "Makekspres", radikalizuan grevën e tyre duke bllokuar një nga udhëkryqet më të frekuentuara në kryeqytet, duke e vështirësuar ndjeshëm trafikun.
Duke filluar nga ora 7 e mëngjesit, rreth 30 autobusë dhe qindra punëtorë të dy kompanive kanë bllokuar kryqëzimin te qendra tregtare "Mavrovasja", përkatësisht udhëkryqin në bulevardet "Goce Dellçev" dhe "Krste Petkov Misirkov".


Përfaqësues i kompanisë "Sloboda Prevoz", Kemal Muriq tha se bllokada vjen si pasojë e borxhit të papaguar të Ndërmarrjes së Transportit Publik të Qytetit të Shkupit.
"Ne transportuesit privatë jemi mbledhur këtu, kemi bllokuar udhëkryqin 'Mavrovasja' për shkak të borxhit që nuk na e paguan Ndërmarrja e Transportit Publik dhe me këtë na ka sjellë në një situatë që nuk mund të çojmë ushqim në shtëpi për familjet", tha Muriq.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të Shkupit për mirëkuptim, ndërsa për të gjithë situatën e fajësoi kryetaren e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska.
Muriq u bëri thirrje institucioneve, përfshirë kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe presidentit Stevo Pendarovski, që të ndërhyjnë me masat që kanë në dispozicion. Ai bëri thirrje që t'i merren kompetencat kryetares së Qytetit të Shkupit.
Isen Halili nga "Makekspres" tha se pagesa e parregullt dhe borxhi i akumuluar zgjat pothuajse një vit, kështu që ata nuk mund të vazhdojnë punën.
Ai tha se edhe më herët kanë protestuar në forma të tjera, por deri më tani nuk kanë arritur asnjë zgjidhje.
"Me këtë bllokadën kemi filluar që sot, e deri në fund, derisa të zgjidhet problemi. Më vjen keq që në këtë mënyrë, tash jemi këtu në bllokadë, sepse është festë kombëtare, Dita e Flamurit", tha Isen Halili.
Përfaqësuesit e kompanive thanë se mund të ndërpresin bllokadën e udhëkryqit për shkak të mbajtjes së manifestimeve me rastin e Ditës së Flamurit, por thanë se do të vazhdojnë bllokimin nëse nuk gjendet zgjidhje.

TRT Balkan / agjencitë