Qeveria e Kosovës modifikon vendimin për targat / Foto: AA

Qeveria e Kosovës ka dalë me një komunikatë lidhur me procesin e votimit që u mbajt dje për largimin ose jo të kryetarëve në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

Ata thonë se procesi u përmbyll pa asnjë incident, e për këtë qeveria përgëzon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe institucionet e sigurisë.

Qeveria shton se, pas votimit të djeshëm, është koha që masat e padrejta ndaj Kosovës përfundimisht të largohen.

“Rikujtojmë se ky proces ishte nxitur nga kërkesa e vazhdueshme për zgjedhje të reja në këto komuna, duke marrë shkas mungesën e legjitimitetit të plotë të kryetarëve aktualë pas daljes së ulët të qytetarëve në zgjedhjet e 23 prillit 2023. Ai filloi me grumbullimin e nënshkrimeve të 20% të nevojshëm të qytetarëve me të drejtë vote. Megjithatë, Lista Serbe që fillimisht ishte shkaktare e zgjedhjeve të 23 prillit përmes dorëheqjes së kryetarëve të saj, e pastaj inicuese e votimit të djeshëm, përsëri bojkotoi procese demokratike, përkundër thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar dhe interesit qytetar”, thuhet në komunikatë.

Në komunikatë thuhet gjithashtu se qeveria e Kosovës shpreh keqardhje për pjesëmarrjen e ulët në votimin e djeshëm dhe falënderon ata të cilët ushtruan të drejtën e tyre demokratike dhe ligjore.

“Jemi të vetëdijshëm ndaj rrethanave në katër komunat në veri të Kosovës, sidomos trysnisë së madhe të ushtruar nga autoritetet e Beogradit ndaj qytetarëve serbë të Kosovës në këto komuna. Rezultatet e votimit të djeshëm tregojnë që nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktualë”.

Me këtë rast, qeveria e Kosovës shpreh edhe një herë mbështetjen dhe gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në përmbushjen e përgjegjësive të tyre dhe shërbimin ndaj qytetarëve të këtyre katër komunave, pa dallim.

TRT Balkan / agjencitë