Ministria e Brendshme e Serbisë njoftoi se punonjësit e policisë së Drejtorisë së Policisë Kriminale kanë kontrolluar banesën dhe lokalet e tjera të Millan Radojçiqit. Ndaj tij është ngritur kallëzim penal.
“Më 3 tetor 2023, punonjësit e policisë së Drejtorisë së Policisë Kriminale kanë kontrolluar banesën dhe lokalet e tjera të Millan Radojçiqit, i cili është ndaluar nga policia për 48 orë. Ai është sjellë në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd me një kallëzim penal”, njofton MPB-ja serbe.
Radojçiq pranoi të premten nëpërmjet avokatit të tij se ka marrë pjesë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe u lënduan dy policë të tjerë të Kosovës.
Policia e Kosovës gjithashtu publikoi pamje nga droni për të cilat thotë se e shfaqin Radojçiqin brenda Manastirit të Banjskës.
Pronat e Radojçiqit në veri të Kosovës u bastisën nga policia disa ditë pas sulmit të 24 shtatorit.