Rama: Deeskalimi nuk ndodh pa u kthyer në shtëpi 3 policët e Kosovës.      /Foto: ATA

Nuk ka asnjë mundësi që të ketë përparim në dialogun Kosovë-Serbi ose deeskalim konkret pa kthimin e tre policëve të Kosovës në shtëpi, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën e sotme për media. Ai, po ashtu theksoi se edhe në raportet Shqipëri – Serbi nuk mund të ketë normalitet, përderisa nuk lirohen tre policët kosovarë.

“Nuk mund të ketë normalitet as në marrëdhëniet mes Shqipërisë e Serbisë për sa kohë nuk i jep fund heqjes së lirisë së tre policëve, të cilët nuk kanë kryer asnjë krim. Edhe nëse e kanë kaluar vijën e kufirit sikur ta marrim të mirëqenë këtë pretendim dihet botërisht se në çdo legjislacion demokratik për kalim të paligjshëm të kufirit njerëzit arrestohen, pyeten dhe kthehen mbrapsht, njihen me masën e ndalimit të hyrjes në atë vend për një kohë të caktuar”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se mbajtja e tyre me ditë të tëra në burg është e pajustifikueshme dhe e papranueshme. “Përpjekja për ta mbuluar këtë lajthitje shtetërore për mbajtjen pa asnjë të drejtë të 3 policëve të huaj në burgun e një shteti tjetër duke ngritur zërin për arrestimet në veri të individëve të caktuar të minoritetit serb nga forcat policore të Kosovës është tejet shqetësuese sepse shtetet demokratike nuk i përgjigjen kurrë në mënyrë simetrike shkeljeve të pretenduara të të drejtave të bashkëkombasve në një shtet tjetër”, tha Rama.

Duke folur para mediave kryeministri Rama, shtoi se pardje i ka nisur një letër të dytë, presidentit Macron dhe kancelarit Scholz dhe presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel lidhur për domosdoshmërinë për një shtyrje të re të Francës dhe Gjermanisë si kumbarët e planit franko-gjerman, me mbështetjen e ShBA-së, që ky plan të zbatohet medoemos.

Më 14 qershor në veri të Kosovës, pranë kufirit me Serbisë, sipas autoriteteve kosovare janë rrëmbyer tre policë kufitarë nga njësitë ushtarake të Serbisë. Pas rrëmbimit gjykatat përkatëse në serbi policisëve kosovarë iu shqiptuan masën e paraburgimit me arsyetimin se të njëjtit janë futur në territorin e shtetit serb.


TRT Balkan / agjencitë