Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama mori pjesë sot në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi” për 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, një moment që shenjoi një faqe të re në historinë e pakthyeshme të Kosovës.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kryeministri Rama u shpreh se Ibrahim Rugova e ka shenjuar historinë e shqiptarëve me një gjurmë sa të rrallë, aq edhe të domosdoshme
“Ju falënderoj për mundësinë e mirëseardhur për të ndarë me ju një opinion mbi njeriun që e ka shenjuar historinë e shqiptarëve me një gjurmë sa të rrallë aq edhe të domosdoshme, sintezë e pashoqe mes revolucionarit me urtësinë e burrështetasit dhe burrështetasit me idealizimin e revolucionarit”, tha Rama.
Kryeministri vlerësoi se Ibrahim Rugova, ati themelues i Kosovës së lirë, të pavarur dhe demokratike, ishte një shqiptar si i dalë nga brinjët malore të historisë sonë.
“Një intelektual si i nxjerrë nga koleksioni i portreteve të periudhës romantike; një politikan si i rrahur me vajin dhe uthullën e odës patriarkale; një udhëheqës si i krijuar për të mos u futur dot në asnjë kornizë të gatshme; një figurë që edhe sot e gjithë ditën është e vështirë ta përmbledhësh si një të tërën, pa i hyrë në hak harmonisë mes pjesëve”, tha Rama.
Kryeministri vlerësoi se “Ibrahim Rugova ishte edhe mbetet më atipiku i politikanëve shqiptarë, i papërsëritshëm, i paimitueshëm, i pashpjegueshëm dot deri në fund me mënyrën dhe për mënyrën se si arriti t’u imponojë njerëzve rrugën e ujit të rrjedhshëm që duket sikur rri në vend teksa formon shtratin e vet”.