Rama nga Shkupi: BE-ja ka nevojë për rajonin.     /Foto: Edi Rama/Facebook

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski theksoi se sot është e qartë që Bashkimi Evropian ka nevojë për rajonin, ashtu siç rajoni ka nevojë për BE-në.

Po ashtu, gjatë këtij takimi në Shkup, Edi Rama informoi se së shpejti do të ketë një tjetër takim informal në Tiranë me praninë e përfaqësuesve të Bashkimit Europian, ku do të diskutohet mbi planin e mbështetjes për rajonin.

“Lajmi i mirë është se Komisioni, siç e ka shprehur edhe Presidentja von der Leyen po punon në këtë drejtim. Së shpejti do të kemi një tjetër takim informal në Tiranë ku do të pres të gjithë së bashku, do të jenë prezentë dhe miq nga BE-ja për të diskutuar konkretisht mbi planin. Na duhet ky plan, kjo mbështetje dhe e meritojmë si vende në mes të Europës që të mos shihemi thjesht si ata që duhet të bëjnë detyrat, por edhe si ata që kontribuojnë”, tha Rama.

Kryeministri i cilësoi të dobishme diskutimet me homologun e Maqedonisë së Veriut, në kushtet kur Shqipëria do të mirëpresë samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë.

“Qëllimi im është që ky samit të shënojë disa përparime konkrete, të prekshme e domethënëse për të cilat po punojmë me Kancelarinë në Berlin dhe paralelisht po diskutojmë me Komisionin Europian në Bruksel. Është një kohë kur është bërë shumë e qartë për të gjithë ne dhe në këtë pikë kemi dakordësi të plotë jo thjesht në parim, por buron nga realiteti i përditshëm i punës sonë dhe qytetarëve tanë, të gjithë kësaj lagjeje që quhet Ballkan Perëndimor në mes të Europës, se hendeku midis vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve tona në aspektin e mbështetjes financiare të BE-së është i pakrahasueshëm me nevojën tonë dhe me domosdoshmërinë që Europa të jetë më kompakte”, tha Rama.

Rama vlerësoi po ashtu se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë një bilanc shumë kuptimplotë në raportin e tyre për sa i përket linjëzimit të plotë, 100 për qind, në raport me politikën jashtme të BE-së.

Lidhur me pyetjen për moskonfirmimin e takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, Rama deklaroi se akoma ka shpresë se Albini nuk e ka harruar kanunin që, kur të vijë në shtëpi, edhe hasmit i hapet dera, dhe se është e ndaluar ta nxjerrësh deri kur ai ta mbarojë fjalën.

Kovaçevski: Anëtarësimi në BE është qëllim strategjik i dy vendeve

Nga ana tjetër, kryeministri i Maqedonisë së Veriut tha se të dyja vendet kanë raporte të shkëlqyera dhe se ata ndajnë vlerat e përbashkëta evropiane. Sipas tij, anëtarësimi në BE është qëllim strategjik i dy vendeve.

“Në këtë rrugë ne edhe në mënyrë bilaterale dhe si rajon po ndërmarrim hapa për evropizimin e shoqërive tona me qëllim sa më shpejt t’i arrijmë standardet evropiane, si ato sistematike dhe ekonomike. Hap i tillë ishte edhe procesi i Berlinit ku në samitin në Berlin u nënshkruan tri marrëveshje të rëndësishme”, tha Kovaçevski.

Në samitin e ardhshëm që do të mbahet tani në Tiranë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut deklaroi se Shqipëria do ta ketë përkrahjen e Maqedonisë së Veriut.

Kovaçevski tha se procesi i Berlinit është shumë i rëndësishëm edhe për hapat e ardhshëm që do të ndërmerren, në fushën e ekonomisë, energjetikës, por edhe fushat e tjera si kultura, arti dhe të tjera.

“Neve si rajon na duhen hapa konkretë të cilët do të na sjellin përfitime ekonomike. Na nevojitet dicka që qytetarët do ta ndiejnë edhe para hyrjes në BE, që do ta mbajë të gjallë idenë evropiane dhe përkushtim të të gjithëve në këtë proces”, u shpreh Kovaçevski.

TRT Balkan / agjencitë