Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në sesionin “Të bashkuar rreth Evropës”, në Samitin e liderëve të Këshillit të Evropës që po mbahet në Islandë.
Në fjalën e mbajtur në këtë samit, Rama theksoi se “si shqiptar është e pamundur për mua të shmang heqjen e paraleles midis Ukrainës e Presidentit Zelensky e Kosovës dhe Presidentit Thaçi”.
“Sot në këtë samit të Këshillit të Europës nuk rri dot pa kujtuar se padrejtësia kundrejt luftës çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësit të saj, Hashim Thaçi nisi saktësisht në Këshillin e Evropës nën ndikimin dashakeq të ish-anëtarit të asaj kohe të këtij Këshilli, Federatës Ruse”, tha Rama.
Kryeministri tha se “Presidenti i Kosovës, ose si Joe Biden iu referua ‘Xhorxh Uashingtoni’ i Kosovës, gjykohet tanimë nga një gjykatë e veçantë e ngritur dhe e themeluar nga bota demokratike, por e mbështetur në një raport të vitit 2019 të KiE-së, i cili në mënyrë djallëzore u sponsorizua nga përfaqësuesit e Vladimir Putinit në Asamblenë e Këshillit të Evropës”.
Ai solli në vëmendje se akuza tërësisht të pabazuara të trafikimit të organeve njerëzore u ngritën atëherë si pikënisja e një fushate kriminale njollosjeje të Shqipërisë dhe Kosovës.
Rama u shpreh se kur dëgjoi propagandën e Kremlinit të flasë për trafikimin e organeve njerëzore nga neonazistët në Donbas, iu duk sikur pa Presidentin Zelensky 10 vjet më vonë, gjykuar nga një gjykatë e veçantë ngritur mbi të njëjtat akuza absurde.
“Ndjesë për këtë çelje brutalisht jokonvencionale qe mund të duket sikur thyen në copa atë piano ku në mënyrë të mrekullueshme u luajt kënga ‘Ave Maria’ nga mikpritësit tanë, por është tejet shkurajuese të dish që situata shqetësuese ku përfshihet presidenti i Kosovës dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës e pati zanafillën brenda Këshillit të Evropës”, vijoi Rama.
Do të isha fajtor, – vijoi kryeministri,- “po të mbetesha i heshtur e të mos flisja sot këtu e të thosha sa vijon”. “Që Asambleja e Këshillit të Evropës ka detyrimin moral të korigjojë çdo gabim dhe në këtë rast duhet t’i hapë rrugën tërheqjes mbrapsht të raportit që në mënyrë të rreme etiketoi Shqipërinë si bazë për trafikimin e dyshuar të organeve nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, vijoi Rama.
Sipas tij, “të refuzosh të përballesh me të vërtetën sot, do ishte më keq se sa të bëhet ky gabim i rëndë 12 vjet më parë ku shumë votuan me sy mbyllur këtë raport të turpshëm në mirëbesim”, shtoi Rama. Sigurisht, vijoi ai, “sot situata ka ndryshuar”. “Rusia nuk është më një anëtare e këtij Këshilli edhe pse numri i rusëve që vazhdojnë të punojnë për Këshillin e Evropës është mjaft mbresëlënës”, shtoi Rama.