Rama: Po mendojmë mbylljen e TikTok-ut dhe Snapchat-it.      Foto: AA

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama bëri të ditur sot se do të hapet një diskutim i gjerë publik nëse qeveria duhet të vendosë filtra për rrjetet sociale apo të ndalojë plotësisht përdorimin në territorin e Shqipërisë të TikTok apo Snapchat.

Gjatë një komunikimi me gazetarët pas mbledhjes së qeverisë, Rama u shpreh se garantimi i sigurisë së fëmijëve është përparësia e përparësive, por nuk janë po kaq të thjeshta përgjigjet e duhura në këto kushte kaq sfiduese.

“Dilema jonë si qeveri është nëse duhet të provojmë edhe ne të ecim në drejtim të vendosjes së filtrave kur në fakt nga të gjitha eksperiencat e tanishme në Europë apo përtej saj mësojmë se efektiviteti i tyre është ende shumë i ulët”, tha Rama.

Ndërkohë, sipas tij, “stimujt e dhunës dhe rastet e bullizmit në botën onlajn të fëmijëve dhe të adoleshentëve vetëm rriten”. “Apo nëse duhet të ndërmarrim një masë drastike për mbylljen e plotë të Tik Tok-ut dhe pse jo dhe Snapchat në territorin e Republikës së Shqipërisë. Kemi vendosur që këtë dilemë ta hedhim në një diskutim të gjerë në të gjitha komunitetet e prindërve ku do të angazhohen të gjitha shkollat nën drejtimin e Ministrisë së Arsimit për të marrë një vendim sa më demokratik për një problem kaq të madh dhe kompleks në përmbajtjen dhe zgjidhjen e vetë”, tha Rama.

Rama kujtoi se faktikisht janë ndërmarrë iniciativa të ngjashme, që nga Australia ku aktualisht po tentohet ndalimi i qasjet në rrjetet sociale të të gjithë fëmijëve deri në 16 vjeç deri te Franca, e cila po diskuton vendosjen si kusht të aprovimit të prindërve për hapjen online të një llogarie nën 15 vjeç.

Po ashtu, Rama tha se Spanja fillimisht vendosi që fëmijët deri në 14 vjeç të mos lejohen të hapin llogari onlajn dhe së fundmi ky kufi është rritur në 16 vjeç. Por, Kryeministri tha se, “përtej këtyre përpjekjeve dhe debateve lidhur me këto nisma, problem ende i hapur mbetet mungesa e një sistemi të zbatimit të tyre si rezultat i vështirësisë në aspektin teknik që lidhet me disa faktorë që nuk është vendi t’i shtjellojmë”.

TRT Balkan / agjencitë