Rama-Varhley: Plani i ri i rritjes përshpejton integrimin e rajonit në BE / Foto: AP

Në Tiranë është mbajtur këtë të enjte samiti BE-Ballkani Perëndimor mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, si edhe zbatimi e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët me komisarin Oliver Varhley ka shprehur mirënjohje për BE-në, derisa tha se plani i ri i rritjes është një platformë kyç për të përshpejtuar hyrjen në Bashkimin Evropian.

“Solla shembullin e kostos së transaksioneve financiare. Ne në Shqipëri, por edhe në të gjitha vendet e rajonit kemi shumë njerëz që jetojnë jashtë dhe duke punuar jashtë ata vazhdojnë të ndihmojnë të afërmit e tyre, prindërit e tyre, familjet e tyre në atdhe. Për çdo para që ata dërgojnë kostoja e transaksionit është gjashtë herë më e lartë krahasuar me koston e transaksioneve në para midis shteteve anëtare të BE-së. Plani i ri i rritjes do të na lejojë ta çojmë këtë kosto me të njëjtin nivel me atë të shteteve anëtare. Çka nënkupton se do të kursejmë vetëm me këtë gjysmë miliardi euro. Do të kursehen nga xhepat e qytetarëve tanë dhe do të kursehen nga kostot e bizneseve tona”, tha kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Komisari i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, pas përfundimit të Samitit Ballkani Perëndimor-BE tha se koncepti për planin e rritjes u diskutua pikërisht në Tiranë me kryeministrin Rama dhe udhëheqësit e tjerë të rajonit.

“Mund të ndaj dhe një sekret për ju. Ideja e gjithë planit të rritjes ka qenë e kryesisht e konceptuar këtu në Tiranë, në diskutimet e mëparshme që kemi pasur me Kryeministrin dhe me udhëheqësit e tjerë të rajonit. Pra nuk është vetëm ide e Komisionit Evropian dhe BE, që ka vendosur që kjo gjë të krijohet dhe realizohet, por ishte ideja e gjithë rajonit”, tha Komisari i BE-së, Varhelyi.

Komisari Varhelyi përmendi katër marrëveshje, që sipas tij përfshihen në Planin e Ri të Rritjes.

E para, rishikimi i kostove të transaksioneve. Sipas kësaj marrëveshjeje, bankat duhet të aplikojnë të njëjtat rregulla, si në vendet e origjinës. E dyta marrëveshje ka të bëjë me korsitë e gjelbra ku shtetet duhet të reduktojnë kohët e pritjes në pikat kufitare. Puna kërkimore shkencore si marrëveshja e tretë e arritur në Tiranë ka të bëjë me një qendër, ku industritë të ndryshme si ajo farmacetuike apo të teknologjisë do të mund të mbështeten në atë qendër dhe marrëveshja e katërt ka të bëjë me internet falas në hapësirat publike në gjithë Ballkanin Perëndimor.

Eurokomisari Varhelyi po ashtu tha se vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor do të marrin 6 miliardë euro ndihmë të cilat do të jepen në formën e granteve dhe huave.

TRT Balkan / agjencitë