Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se pas raportimeve për vendosjen e mjeteve shpërthyese në shumë institucione arsimore në mbarë vendin shërbimet kompetente po kryejnë kontrollet e duhura që deri më tani rezultojnë se bëhet fjalë për "raportime të rreme".
Siç njofton ministria, pas dyshimeve për vendosjen e mjeteve shpërthyese në disa shkolla fillore dhe të mesme pothuajse në gjithë territorin e vendit, shërbimet e ministrisë po ndërmarrin "masa dhe aktivitete të planifikimit gjithëpërfshirës në përputhje me procedurat e brendshme për përballimin e kërcënimeve terroriste".
"Vlerësimi i nivelit të kërcënimit po bëhet në koordinim të ndërsjellë me shërbimet e sigurisë dhe inteligjencës përmes një shtabi operativ të krijuar në kuadër të ministrisë", tha ministria, duke shtuar se nga kontrollet e deritanishme rezulton se bëhet fjalë për "raportime të rreme".
Autoritetet apelojnë për qetësi të publikut dhe shmangie nga përhapja e dezinformatave për ngjarje të tilla, që gjatë ditës së djeshme, sipas ministrisë, janë regjistruar edhe në vende të tjera të rajonit.
Më herët, në shumë shkolla në territorin e Shkupit, si dhe në qytetet Shtip, Tetovë, Ohër dhe Kumanovë, respektivisht në postat elektronike zyrtare të institucioneve arsimore u pranuan kërcënime për vendosjen e mjeteve shpërthyese, si pasojë policia në vendngjarje mori masa për evakuimin e tyre.
Kryetari i Komunës së Shtipit, Ivan Jordanov, ka thënë se këto raportime janë të rreme. Ai e quajti një "sulm kibernetik", i cili ka për qëllim të shkaktojë trazira mes mësimdhënësve dhe nxënësve.
Kujtojmë se kërcënime të ngjashme për vendosjen e mjeteve shpëthyese nëpër shkolla, institucione dhe vende të tjera, kryesisht në Shkup, ka pasur edhe në fund të vitit 2022, duke kulmuar më 16 dhjetor të atij viti kur ndër objektivat ishte hoteli ku ishte organizuar një ngjarje me pjesëmarrjen e ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski, e cila si pasojë u anulua, si dhe Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit.
Atë kohë, autoritetet kompetente pas kontrolleve të gjitha kërcënimet i konstatoi se ishin të rreme.