Regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi drejt përmbylljes / Foto: AA

Në Mal të Zi deri më sot janë regjistruar 618.351 persona, ndërsa në 69 raste është konfirmuar refuzimi i regjistrimit, tha drejtori i Drejtorisë për Statistikat në Mal të Zi (Monstat), Mirosllav Pejoviq.

“Në këtë ditë janë regjistruar 618.351 persona, 199.081 amvisëri dhe 356.464 banesa”, tha Pejoviq në seancën e shtatë të Komisionit për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes për kushtet për mbajtjen e regjistrimit.

“E shohim se në krahasim me herën e kaluar numri i banorëve të regjistruar në kryeqytet është rritur”, tha Pejoviq.

Pejoviq theksoi se regjistrimi është drejt fundit dhe se beson se gjithçka do të bëhet deri më 28 dhjetor.

Zëvendësdrejtoresha e Monstatit, Snezhana Remikoviq, theksoi se është ende herët të flitet për rritje ose rënie të popullsisë dhe se duhet të presim rezultatet sipas vendbanimit të zakonshëm.

Ajo theksoi se problem i madh është gjendja kur qytetarët nuk janë në shtëpi, por se regjistruesit tashmë janë në dispozicion dhe do të jenë në dispozicion sipas kërkesës.

Remikoviq theksoi se ligji parashikon që të dhënat paraprake të publikohen brenda 30 ditëve, raporton portali i RTCG-së.

Regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi, pas dy vitesh vonesë dhe dy shtyrjeve, ka filluar më 3 dhjetor dhe është dashur të përfundojë më 18 dhjetor, por ndërkohë është marrë vendim që ky proces të zgjatet edhe për 10 ditë.

TRT Balkan / agjencitë