Regjistrimi i popullsisë në Shqipëri do të vazhdojë deri më 15 nëntor / Foto: AA

Instituti i Statistikave i Republikës së Shqipërisë, INSTAT, ka njoftuar se "Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023" në vend do të vazhdojë deri më 15 nëntor të këtij viti, ndërkohë ky proces ishte planifikuar të përfundonte në fund të tetorit.

Në njoftimin e INSTAT-it, thuhet se rreth 3 për qind e zonave në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë ende nuk janë numëruar, për këtë arsye, sipas këtij institucioni, në disa zona të disa bashkive të vendit, mbledhja e informacionit në kuadër të regjistrimit të popullsisë do të vazhdojë deri më 15 nëntor 2023.

"Instituti i Statistikave, njofton opinionin publik dhe median se aktiviteti i Censit të Popullsisë dhe të Banesave i shtrirë në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, në përfundim të periudhës së parashikuar në terren, ka pasur ecuri pozitive. Gjatë kësaj periudhe, rreth 5.240 anketues kanë trokitur në dyert e familjeve, të cilët i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes sonë për t’u angazhuar në përgjigjet e pyetësorit të censit", thuhet në njoftim.

Gjithashtu, theksohet se shkaqet e vendimit për shtyrjen lidhen me rikontaktimin më shumë se 3 herë në banesat pa kontakt, refuzimet ose distancat e largëta dhe ndërtimet e reja.

Në Shqipëri aktualisht vazhdon "Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023", që realizohet nën organizimin e Institutit të Statistikave të Shqipërisë. Regjistrimi ka filluar zyrtarisht më 18 shtator dhe janë angazhuar në terren mijëra anketues në gjithë vendin.

Këto të dhëna, pasi të grumbullohen, do të përpunohen, analizohen dhe publikohen në formë statistikash zyrtare në qershor 2024.

Censi 2023 është regjistrimi i 12-të i popullsisë në historinë e Shqipërisë, i pari është zhvilluar në vitin 1923 dhe i fundit në vitin 2011.

AA