Regjistrimi në Serbi: Pothuajse 500 mijë banorë më pak se në vitin 2011.     Foto: Tanjug

Rezultatet e para të regjistrimit të popullsisë, amvisërive dhe banesave të vitit 2022 tregojnë se në Republikën e Serbisë jetojnë 6.690.887 banorë. Krahasuar me regjistrimin e vitit 2011, numri i përgjithshëm i banorëve është zvogëluar për 495.975, ose për 6,9 për qind.

“Rënie e numrit të banorëve është shënuar në të gjitha rajonet (rreth 10 për qind), me përjashtim të rajonit të Beogradit, ku numri i banorëve është rritur për rreth 1,6 për qind”, thotë Instituti i Statistikave të Republikës së Serbisë.

Regjistrimi i vitit 2022 mblodhi të dhëna për 2.520.854 familje dhe 3.628.175 apartamente.

“Nuk është shënuar ndonjë ndryshim i dukshëm në numrin e përgjithshëm të amvisërive (rritje prej 1,33 për qind), ndërsa numri i përgjithshëm i banesave është rritur për 12,26 për qind në krahasim me regjistrimin e vitit 2011. Rritja më e madhe e numrit të banesave është shënuar në rajonin e Beogradit. (18,55 për qind)”, tregojnë rezultatet e para të regjistrimit.

Rezultatet përfundimtare të regjistrimit të popullsisë në Serbi janë planifikuar të publikohen nga muaji prill deri në qershor të vitit 2023.

Regjistrimi në Serbi filloi më 1 dhe përfundoi më 31 tetor 2022.

Pas dy dekadave në këtë regjistrim morën pjesë edhe shqiptarët. Pjesë dërmuese e popullatës shqiptare në Serbi jeton në Luginën e Preshevës, gjegjësisht në vendbanimet Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë.

TRT Balkan / agjencitë