Vendet e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi po përparojnë në sferën e lirisë së mediave, sipas Indeksit për Lirinë e Mediave të përgatitur nga Reporterët pa Kufij. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shënuar përmirësim në krahasim me radhitjen në vitin 2022, përveç Serbisë, e cila ka rënë për 12 vende.
Në Ballkanin Perëndimor, Maqedonia e Veriut radhitet më së miri, në pozitën e 38-të globalisht, me përmirësim për 19 vende krahasuar me vitin paraprak.
Pas saj vjen Mali i Zi, i 39-ti në radhitjen globale dhe përmirësim për 24 vende.
Vijon Kosova, e cila tani është e 56-ta në botë për lirinë e mediave dhe ka shënuar progres për 5 vende.
Bosnjë e Hercegovina radhitet e 64-ta, me përmirësim prej 3 pozitave në krahasim me vitin 2022.
Serbia nga pozita e 79-të bie në pozitën e 91-të, duke u bërë vendi i vetëm ballkanik që shënon regres sa i përket lirisë së mediave.
Më së dobëti në rajon radhitet Shqipëria, e 96-ta në botë. Në krahasim me vitin paraprak, Shqipëria ka shënuar përmirësim për 7 pozita në radhitjen globale, por kjo nuk ka mjaftuar për të mbajtur hapin me vendet e tjera fqinje.
Në nivel global, me notën më të mirë për lirinë e mediave është vlerësuar Norvegjia, njëjtë sikurse vitin e kaluar. E dyta vjen Irlanda dhe e treta në radhitjen globale është Danimarka.
Irani është vlerësuar me notën më të dobët për lirinë e mediave dhe radhitet e fundit nga 177 vendet e përfshira në Indeksin e Reporterëve pa Kufij.