Është hapur pas renovimit një ndër xhamitë më të vjetra të Prishtinës, Xhamia Pirinaz (Piri Nazir), në rrugën "Ismail Dumoshi" në lagjen "Vellusha".
Besimtarë të shumtë u mblodhën për namazin e xhumasë në xhaminë e cila u renovua brenda në objektin kryesor, objektet shoqëruese dhe në oborr, financuar nga Drejtoria e Vakëfeve të Türkiyes.
Nuk dihet data e saktë e ndërtimit të kësaj xhamie, por besohet të jetë ndërtuar në periudhën e Perandorisë Osmane, në shekullin e 16-të.
Që nga viti 1967, kjo xhami është në mbrojtjen e shtetit dhe ka marrë statusin e monumentit të regjistruar.
Për shkak të vjetërsisë së ndërtimit të saj, xhamia "Pirinaz" ndër vite është restauruar disa herë. Restaurimi i fundit nisi në vitin 2020 dhe përfundoi në fillim të këtij viti.