Rrapi i vjetër disashekullor në Shkup i reziston kohës. / Photo: AA

Rrapi i vjetër prej disa shekujsh në oborrin e xhamisë së periudhës osmane Gazi Isa Beu në Shkup vazhdon të shërbejë si "hije" për ata që vizitojnë xhaminë gjatë muajve të nxehtë të verës.

Emri i rrapit oriental i vjetër rreth 550 vjeç në shkencën e botanikës është "Platanus orientalis".

Rrapi mendohet se është mbjellë nga Isa Beu, ndërtuesi i xhamisë së Gazi Isa Beut, nipi i komandantit i cili e ka çliruar Shkupin, Paşa Yiğit Bey, në të njëjtën periudhë kur është ngritur xhamia.

Pema, e cila është në mbrojtje si monument natyre nga viti 1993, është 20 metra e gjatë dhe ka një diametër të trungut prej 7,3 metrash.

Rrapi tek Isa Beu është i dyti më i vjetër në Maqedoninë e Veriut, pas atij që gjendet në sheshin e çarshisë së qytetit të Ohrit, ndërsa është në mesin e tri pemëve më të vjetra në Evropën Juglindore.

Studiuesi Ertuğrul Karakuş tregon se kur ndërroi jetë nëna e poetit nga Shkupi, Yahya Kemal Beyatlı, nën këtë pemë ai ka qarë duke thënë se "botët janë shkatërruar". Varri i nënës së poetit, Nakiye, gjendet përballë këtij rrapi.

Ndërsa një nga ekspertët e trashëgimisë kulturore osmane në Maqedoninë e Veriut, Lidija Kumbaraci Bogoevic, e cila ndërroi jetë vitin e kaluar, lidhur me rrapin thotë: "Në oborrin e xhamisë gjendet një rrap shumë i vjetër me një kurorë të jashtëzakonshme që besohet se është mbjellë në kohën e ndërtimit të xhamisë".

Theksohet se përhapja natyrore e pemës është Ballkani, Anadolli, Irani, Lindja e Largët dhe Euroazia.

Gjithashtu, thuhet se mbjellja e rrapit në vendbanime redukton ndikimin e ndryshimeve klimatike.

AA