Rrëmbimi i tre policëve kufitarë të Kosovës nga ana e Serbisë rrezikon prishjen e raporteve mes Serbisë dhe Shqipërisë.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në Twitter sot shkroi se sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa!
“Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen!”, shprehet Rama.
Nga ana tjetër, siç shkruan ai, nëse deeskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova - sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u riizoluar!
“Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFOR-in në krye të punës! E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFOR-it në Veriun e Kosovës! Albin, dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhtarë! Koha është tani dhe po fluturon!”, shkruan Rama.
Më 14 qershor forcat serbe rrëmbyen tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës të cilët patrullonin në kufirin verior me Serbinë. Gjykata e Kralevës dy ditë më vonë të njëjtëve u shqiptoi masën e paraburgimit.