Vendet me kapacitet turistik nga rajoni i Ballkanit po rikuperojnë fuqishëm numrat, duke tejkaluar edhe nivelet para pandemisë.
Turizmi në Ballkan po rritet dhe po zhvillohet, duke u identifikuar si një alternativë cilësore dhe më e lirë për shumë turistë të huaj.
Sipas të dhënave, parasezoni turistik në gjysmën e parë të këtij viti ka qenë shumë më i mirë sesa vitin e kaluar për shtetet e Ballkanit me kapacitet turistik.
Shqipëri: 33% më shumë vizitorë sesa vitin e kaluar
Në 6 muajt e parë të këtij viti, pra periudhën janar-qershor 2023, Shqipërinë e kanë vizituar rreth 3,4 milionë turistë, njoftoi Ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Ky numër është për 33% më i madh krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në 6 muajt e parë të vitit 2022 Shqipërinë e kishin vizituar 2,5 milionë të huaj.
Dallimi është edhe më i madh krahasuar me vitin 2019, vit i cili merret si referencë statistikore për periudhën para pandemisë. Gjatë gjysmës së parë të 2019-tës, Shqipërinë e vizituan 2,13 milionë turistë të huaj.
Turizmi në Shqipëri është në rritje konstante, ndërsa raporte të ndryshme tregojnë se Shqipëria është ndër vendet e para në botë për rimëkëmbjen e performimit turistik pas pandemisë.
Mali i Zi: 53% më mirë sesa në 2022
Në pesë muajt e parë të këtij viti, Malin e Zi e vizituan 575.000 turistë të huaj, sipas Organizatës Kombëtare të Turizmit.
Krahasuar me periudhën janar-maj të vitit të kaluar, turistët e huaj në Mal të Zi janë rritur për 53,1%.
Edhe Mali i Zi ka tejkaluar nivelet e para pandemisë. Krahasuar me vitin 2019, sivjet ka për 24% më shumë vizitorë.
Sa u përket bujtjeve, Mali i Zi ka shënuar rritje prej 99% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, dhe 94% krahasuar me vitin 2019.
Kroaci: Kthim në nivelet para pandemisë
Nga janari deri në fund të qershorit të këtij viti, Kroacinë e kanë vizituar 6,7 milionë turistë.
Krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar, numri i vizitorëve është rritur për 16%.
Vendi buzë Adriatikut është thuajse në nivelet para pandemisë, me vetëm 4% rritje të turistëve të huaj krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2019.
Vizitorët e huaj kanë realizuar 27,3 milionë bujtje gjatë gjysmës së parë të këtij viti, 10% më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.