Rritet shkëmbimi tregtar Shqipëri-Kosovë.     Foto: AA

Instituti i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT) publikoi raportin për tregtinë e jashtme për muajin tetor të këtij viti. Sipas këtij raporti, përgjatë 10-mujorit të këtij viti eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës llogariten pothuajse në të njëjtën vlerë më 10-mujorin e 2021. Ato shkuan në 264 milionë euro, duke shënuar rënie me rreth 85 mijë euro, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021-shit.

Ndërkohë, importet për 10-mujorin shënuan rritje me gati 25 milionë euro, duke arritur në 113 milionë euro nga 90 milionë euro që ishin në dhjetëmujorin e 2021-shit.

Eksportet kryesore të Shqipërisë drejt Kosovës përfaqësohen nga eksporti i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, mineraleve dhe lëndëve djegëse, ushqimeve si dhe produkteve kimike dhe plastike.

Të rëndësishme në strukturën e eksporteve shfaqen prodhimet e Shqipërisë të drurit/mobilierisë si ndenjëset (karrige e kolltukë) apo mobilie të tjera.

Gjithashtu, edhe prodhimet bujqësore kanë peshë, ndër të cilat eksportin kryesor e zënë domatet, agrumet, pjepri dhe kastravecat.

Gjatë kësaj periudhe, referuar të dhënave, Shqipëria ka eksportuar drejt Kosovës 120 milionë euro materiale ndërtimi dhe metale dhe rreth 40 milionë euro minerale, lëndë djegëse, energji elektrike.

Tashmë prej datës 1 tetor në doganën e Durrësit po kryhet zhdoganimi i të gjitha mallrave me destinacion Kosovën.

Janë 1040 biznese nga Kosova që përfitojnë aktualisht nga hapja e kësaj dege, jo vetëm kohë, por edhe kosto të reduktuar zhdoganimi.

Ndërkohë grupet e punës nga të dy vendet po punojnë për kryerjen e një analize për bashkimin doganor, në mënyrë që të hiqen të gjitha barrierat e burokracitë mes dy vendeve dhe që bashkëpunimi tregtar të mos ketë asnjë pengesë.

TRT Balkan / agjencitë