Sa dhe si përdoret interneti në Ballkan?     Foto: TRT Balkan 

Era digjitale po penetron gjithnjë e më shumë edhe në Ballkan. Pjesa më e madhe e Ballkanit është e mbuluar me rrjet interneti me cilësi të mirë, në pritje të teknologjive të reja si 5G që pritet ta bëjë internetin edhe më të qasshëm dhe më të shpejtë.

Interneti ofron mundësi për gjetjen e informacioneve të ndryshme, komunikim me njerëz nga e gjithë bota, menaxhim të financave, blerja nga shtëpia, rekreacion me muzikë, video dhe lojëra si dhe shumë më shumë.

Por, sa prej qytetarëve në Ballkanin Perëndimor e përdorin internetin?

Shqiptarët - përdoruesit më të mëdhenj të internetit

Të dhënat nga Eurostat tregojnë se Kosova dhe Shqipëria prijnë për nga numri i familjeve që kanë lidhje interneti në shtëpi. 96% e familjeve në Kosovë dhe 91% e familjeve në Shqipëri janë të lidhur në internet me ndonjërin prej kompanive të telekomunikimit që ofron shërbime në këto vende.

Përqindje e madhe e familjeve në Maqedoninë e Veriut (84%), Serbi (82%) dhe Mal të Zi (81%) gjithashtu kanë lidhje internet në shtëpi.

Në Bosnjë e Hercegovinë, 3/4 e familjeve kanë qasje në internet.

Rajoni si tërësi ngec pak nga Bashkimi Evropian, ku 92% e familjeve janë parapagues të shërbimeve të internetit.

Sa dhe si përdoret interneti në Ballkan?     Foto: TRT Balkan

Në Evropë lulëzojnë shitjet onlajn, në Ballkan – rrjetet sociale

Qytetarët e Ballkanit Perëndimor janë ndër përdoruesit më të mëdhenj të rrjeteve sociale në Evropë. Secili nga shtetet e Ballkanit kalon 60% e popullsisë prej 16 deri 74 vjeç që kanë profile në ndonjërin prej rrjeteve sociale.

E para në rajon është Maqedonia e Veriut, me 74% të popullsisë prezente në ndonjë rrjet social. Mali i Zi vjen në vend të dytë me 71%.

Shqipëria (61%) dhe Serbia (60%) vijojnë listën e vendeve nga Ballkani me gati 2/3 e popullsisë që përdor rrjetet sociale.

Kosova dhe Bosnja e Hercegovina kanë gjithashtu numër të lartë të popullsisë përdorues të rrjeteve sociale, ndonëse Eurostat-i nuk ka të dhëna për to.

Në pjesën më të madhe të Evropës perëndimore, përqindja e popullsisë në rrjete sociale është shumë më e ulët se sa në Ballkan. Gjermanët dhe francezët kanë një mesatare rreth 40%, ndërsa italianët rreth 50%. Përjashtim bëjnë vendet e Beneluksit dhe Zvicra, ku numri i popullsisë që përdor rrjetet sociale është i ngjashëm si në Ballkan.

Sa dhe si përdoret interneti në Ballkan?     Foto: TRT Balkan

Biznesi gjithnjë e më shumë po zhvendoset në internet dhe këtë e tregojnë shifrat. Rreth 66% e banorëve në shtetet e Bashkimit Evropian kanë blerë me transaksione në internet gjatë vitit 2021. Në disa vende madje 9 nga 10 persona kanë blerë një prodhim ose shërbim në internet të paktën një herë në vit.

Vendet e Ballkanit Perëndimor janë ende larg nga kjo mesatare. Shitblerjet onlajn më së shumti përdoren në Kosovë, ku 46% e popullsisë ka kryer blerje onlajn brenda 1 viti. Menjëherë pas vijnë qytetarët e Serbisë, rreth 45% prej tyre përdorues të “dyqaneve” onlajn.

Në Maqedoninë e Veriut 34% e popullsisë përdor shitblerjet onlajn, në Bosnjë e Hercegovinë 30% ndërsa në Mal të Zi vetëm 26% e popullsisë. Në këtë raport nuk ka të dhëna për Shqipërinë.

Sa dhe si përdoret interneti në Ballkan?     Foto: TRT Balkan

Siguria onlajn mbetet sfidë për vendet e Ballkanit

Krah për krah me mundësitë e shumta që ofron interneti, vijnë edhe rreziqe të mëdha. Qytetarët e Ballkanit Perëndimor gjithnjë e më shumë po raportojnë se kanë qenë viktimë e keqpërdorimeve në internet.

Krimet në internet janë të shumta, që nga vjedhja dhe keqpërdorimi i të dhënave personale e deri te mashtrimet financiare.

Krimet financiare në internet po shtohen dhe shpesh kalojnë pa u zgjidhur nga autoritetet, sidomos nëse kriminelët vijnë nga vende të tjera.

Prandaj, është e rëndësishme që të mbrohen të dhënat personale, të mos jepen të dhënat e kartelës në faqe të dyshimta dhe të panjohura që ofrojnë shërbime ose prodhime për shitje.

TRT Balkan