Në kuadër të procesit të Berlinit, që do të zhvillohet në Shqipëri më 16 tetor 2023, Ministria e Financave dhe e Ekonomisë organizon sot në Tiranë Forumin e Ministrave të Ekonomisë me titull, “Tregu i përbashkët rajonal – një hap drejt Tregut Unik të BE-së”.
Forumin e hapën kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Presidentja e Unionit të Dhomave të Tregtisë në Shqipëri Ines Muccostepa, dhe Olivier Becht - Ministër i tregtisë me jashtë dhe ekonomisë në Francë. Punimet, sipas agjendës së publikuar, janë të ndara në disa panele, dhe fundi i forumit pritet të jetë në orën 18:30.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama foli mbi rëndësinë e planit të BE-së për të mbështetur Ballkanin Perëndimor.
“Ashtu siç ju të gjithë mund ta dini, Samiti do të duhet të diskutojë për diçka krejt të re që 5 vjet më parë ishte e papërfytyrueshme, planin e ardhshëm të BE-së për të mbështetur Ballkanin Perëndimor duke u hapur në disa mënyra që do të na sjellin më pranë BE-së. Ndërkohë që sa i përket procesit të integrimit në bazë të meritës, çdo vend duhet të bëjë detyrat e veta të shtëpisë”, tha Rama.
Ai tha se tani është koha që fjalët premtuese të shndërrohen në vepra premtuese.
“Integrimi me faza në tregun e përbashkët premton të na japë një ide të vyer, të paçmuar për rritjen ekonomike të rajonit të Ballkanit Perëndimor gjatë 5 viteve në vijim. Pra, gjithçka është mirë dhe më duhet të them se është tani koha për të ecur përpara dhe për t’u siguruar se nga fjalët mjaft premtuese ne të nisim të shohim vepra premtuese”, u shpreh Rama.
Forumi mbledh së bashku ministrat e Ekonomisë të Procesit të Berlinit, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe partnerë të tjerë të Procesit të Berlinit, me fokus avancimin e tregut të përbashkët rajonal, për të nxitur zhvillimin e rritjes ekonomike të rajonit dhe për ta sjellë atë më afër BE-së.
Ky forum pritet të reflektojë mbi arritjet, prioritetet dhe sfidat kryesore në zbatimin e këtij plani dhe avancimin e agjendës së integrimit rajonal nëpërmjet mbështetjes në kuadër të Procesit të Berlinit, si një instrument shumë i rëndësishëm për përshpejtimin e konvergjencës ekonomike të rajonit me Bashkimin Europian. Në këtë takim, do të diskutohet mbi lehtësimin e tregtisë dhe reduktimin e barrierave, integrimin e tregjeve, rritjen e bashkëpunimit rajonal, integrimin e sistemeve të pagesave të rajonit dhe përgatitjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor për një integrim eventual në Eurozonë.
Gjithashtu, diskutimet do të përqendrohen edhe në integrimin e përshpejtuar dhe qasjen e hershme në Tregun Unik të BE-së. Në këtë kuadër, do të diskutohet edhe lidhur me sfidat kryesore për përmirësimin e konvergjencës ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në, në mënyrë që të përcaktohet orientimi politik dhe hapat konkretë, në kuadër të Procesit të Berlinit, sa i takon mbështetjes për qasjen e hershme në Tregun Unik të BE-së nga ekonomitë e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Së bashku me Forumin e Ministrave do të zhvillohet Forumi i Biznesit, me titull “Hyrja në Tregun Unik si një potencial për rritje për Ballkanin Perëndimor”.
Ky forum synon të paraqesë arritjet kryesore dhe hapat drejt integrimit në BE, si dhe të theksojë nevojat dhe rekomandimet nga komuniteti i biznesit të Ballkanit Perëndimor për të shfrytëzuar plotësisht potencialet e rritjes së rajonit. Forumi bashkëorganizohet nga Ministria e Financave dhe e Ekonomisë, Forumi i Investimeve të Dhomave të Ballkanit Perëndimor 6 (WB6 CIF), së bashku me Unionin e Dhomave të Tregtisë dhe të Industrisë së Shqipërisë.
Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e vendeve të këtij rajoni në Bashkimin Evropian. Ai u prezantua në 28 gusht 2014 nga kancelarja gjermane Angela Merkel.
Procesi i Berlinit po zhvillohet me mbështetjen e Komisionit Evropian, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe shteteve anëtare të përfshira në Proces – Gjermani, Francë, Austri, Kroaci, Itali, Slloveni dhe Mbretëri e Bashkuar, së bashku me vendet e Ballkanit Perëndimor.