Sa janë investimet e huaja në vendet e rajonit?     Foto: TRT Balkan 

Pas rënies globale në disa vitet e fundit, si pasojë e pandemisë së Covid-19, investimet e huaja gradualisht po kthehen në Ballkanin Perëndimor.

Thuajse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë regjistruar rritje të theksuar të investimeve të huaja gjatë 9 muajve të parë të vitit 2022, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Gjithsej mbi 6 miliardë euro kanë hyrë në formën e investimeve direkte në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. TRT Balkan ju sjell një analizë rajonale për fluksin e investimeve të huaja direkte.

Vlera e investimeve të huaja direkte në 9 muajt e parë të vitit 2022    Foto: TRT Balkan

Serbia me më së shumti investime të huaja në rajon

Duke qenë tregu më i madh ndër vendet e Ballkanit Perëndimor, është e pritshme që Serbia të renditet e para në listën rajonale të vendeve me më së shumti investime të huaja.

Gjatë 9 muajve të parë të vitit 2022, në Serbi kanë hyrë 3 miliardë e 11 milionë euro si investime të huaja, gati gjysma e të gjitha investimeve në Ballkanin Perëndimor.

Sidoqoftë, për dallim prej shumicës së vendeve të rajonit, në Serbi nuk është regjistruar rritje e rëndësishme e investimeve të huaja në krahasim me 9 muajt e parë të vitit 2021. Gjatë periudhës së njëjtë të vitit paraprak, në Serbi janë investuar 3 miliardë e 2 milionë euro.

Rritje e madhe e investimeve të huaja në Shqipëri, në Mal të Zi e në Kosovë

Në 9 muajt e parë të këtij viti, në Shqipëri kanë arritur rreth 984 milionë euro investime të huaja. Sipas Bankës Qendrore të Shqipërisë, kjo shifër është për rreth 35% më e lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Kjo rritje mbështetet kryesisht në riinvestimin e fitimeve nga ndërmarrjet ekzistuese, ndërsa ardhja e kapitalit të ri nga jashtë është në rritje dukshëm më të ulët.

Mali i Zi gjithashtu ka shënuar një rritje të rëndësishme prej 41% të investimeve të huaja direkte, krahasuar me 9-mujorin e parë të vitit 2021. Deri në shtator të këtij viti, investimet e huaja kanë arritur vlerën prej më shumë se 847 milionë euro.

Edhe Kosova ka regjistruar një rritje prej mbi 43% të investimeve të huaja në 9 muajt e parë të këtij viti, krahasuar me 9 muajt e parë të vitit 2021. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, nga 390 milionë euro, sa ishin 9-mujorin e vitit të kaluar, këtë vit investimet e huaja kanë arritur shifrën mbi 560 milionë euro.

Maqedonia e Veriut – “më së miri që nga viti 2018”

Maqedonia e Veriut ka regjistruar 528 milionë euro investime të huaja gjatë 9 muajve të parë të këtij viti. Përkundër se renditet ndër të fundit në rajon, pas Serbisë, Shqipërisë, Malit të Zi e Kosovës, autoritetet në Maqedoninë e Veriut thonë se ky ishte viti më i mirë në 4 vitet e fundit sa u përket investimeve të huaja në vend.

Bosnja e Hercegovina më dobët në rajon

Ndonëse për Bosnjë e Hercegovinën nuk ka të dhëna për tremujorin e tretë të këtij viti, gjykuar nga trendi në 6 muajt e parë, ky vend qëndron më dobët në rajon sa u përket investimeve të huaja.

Për 6 muaj, në Bosnjë e Hercegovinë kanë hyrë vetëm rreth 267 milionë euro kapital i huaj. Kjo shifër është për 30% më ulët krahasuar me 6 muajt e parë të vitit 2021, sipas Bankës Qendrore në Sarajevë, duke e bërë Bosnjë e Hercegovinën vendin e vetëm në rajon që shënon rënie në investimet e huaja krahasuar me një vit më parë.

TRT Balkan