Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, i dyshuar sipas autoriteteve shqiptare për korrupsion.
Në një njoftim për mediat, gjykata e apelit ka konfirmuar se sot shpalli vendimin mbi çështjen ndaj Berishës, duke vendosur miratimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Ndaj Berishës do të vazhdojë të mbetet në fuqi masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërkohë në seancën e sotme Berisha nuk ishte i pranishëm, duke u përfaqësuar nga avokatët e tij.
Ndërkohë, në një deklaratë për mediat sot pas shpalljes së vendimit, një nga avokatët e Berishës, Genc Gjokutaj, u shpreh se vendimin e apelit do ta ankimojnë në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë.
Çështja ndaj ish-kryeministrit Berisha
Më 20 tetor 2023, GjKKO-ja për Berishën caktoi masën "detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore" dhe "ndalim i daljes jashtë shtetit", pasi dyshohet sipas autoriteteve për korrupsion, ndërsa për dhëndrin e Berishës, Jamarbër Malltezi, ishte caktuar fillimisht masa "arrest me burg" dhe më pas "arrest në shtëpi", i cili dyshohet për korrupsion dhe pastrim parash.
Më 12 dhjetor, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë ndaj ish-kryeministrit Berisha, kërkesë e cila u miratua nga Kuvendi më 21 dhjetor.
Në seancën e datës 30 dhjetor, GJKKO-ja vendosi masën “arrest në shtëpi” ndaj ish-kryeministrit Berisha. Avokatët e Berishës dorëzuan ankimim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, duke kundërshtuar masën e GjKKO-së.
Më 23 janar, Berisha u paraqit në ambientet e SPAK-ut për t'u marrë në pyetje nga prokurorët rreth çështjes ndaj së cilës po hetohet.
Objekt i hetimit të këtij procedimi penal, sipas SPAK-ut, janë veprimet e kryera nga funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të "Klubit të Futbollit Partizani" dhe "Klubit Shumësportesh Partizani" në Tiranë.
Aktualisht nga Kuvendi i Shqipërisë Berisha njihet zyrtarisht si deputet jashtë grupeve parlamentare, për shkak të përplasjeve të fundit brenda Partisë Demokratike.