Schmidt: Entitetet nuk kanë të drejtë të shkëputen nga BeH-ja.     /Foto: AA

Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, komentoi pretendimet që janë shfaqur së fundmi në opinion për çështjen e pronësisë së pronës shtetërore.

"Pretendimet se çështja e pronësisë së pronës shtetërore është zgjidhur tashmë në Dejton nuk janë të vërteta. Është një çështje thelbësore që ende nuk është zgjidhur në këtë vend. Pra, përfundimi është i thjeshtë: Politikanë të BeH-së, bëni punën tuaj! Sa i përket procesit që do të çojë në zgjidhje, është e nevojshme që kjo çështje të diskutohet në nivel tekniko-ligjor, që do të çojë në zgjidhje të pranueshme dhe të qëndrueshme për çështjen e shpërndarjes së pronës ndërmjet shtetit, subjekteve, rrethit të Bërçkos, kantoneve dhe komunave”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë në BeH.

Përfaqësuesi i Lartë kujtoi se entitetet nuk kanë të drejtë të shkëputen nga BeH-ja dhe ligjërisht ekzistojnë vetëm në bazë të Kushtetutës së Dejtonit:

“Sovraniteti dhe integriteti territorial i Bosnjë e Hercegovinës janë të padiskutueshëm dhe unë me vendosmëri hedh poshtë çdo lloj aktiviteti të papërgjegjshëm në këtë drejtim”, thuhet në komunikatë. Përfaqësuesi i Lartë nëpërmjet komunikatës përkujtoi se kufijtë brenda BeH-së nuk ekzistojnë dhe nuk mund të ekzistojnë dhe se asnjë pengesë në lidhje me lirinë e lëvizjes në BeH nuk është e pranueshme.

"Detyra e politikanëve në Bosnjë e Hercegovinë është që më në fund të zbatojnë plotësisht Dejtonin dhe të mos flasin për të në trillime. Respektimi i rendit kushtetues të Bosnjës e Hercegovinës është gur themeli i paqes, stabilitetit dhe përparimit afatgjatë të BeH-së. Kushtetuta e Bosnjës e Hercegovinës është pjesë përbërëse e Marrëveshjes Kornizë të Përgjithshme për Paqe, dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës janë përfundimtare, detyruese dhe duhet të zbatohen”, tha Schmidt.

Ndryshe, dje në Banja Llukë, përfaqësuesit e partive parlamentare nënshkruan një deklaratë për mbrojtjen e pronës, gjegjësisht planin e veprimit të autoriteteve në organet e etnitetit Republika Sërpska dhe përfaqësuesit e tyre në institucionet e përbashkëta të BeH-së.


TRT Balkan / agjencitë