Schmidt: Sjellja e RS-së kundër Marrëveshjes së Dejtonit / Photo: AA

Komiteti Drejtues i Këshillit për Zbatimin e Paqes në Bosnjë e Hercegovinë përfundoi seancën dyditore në Sarajevë, ndërkohë që Përfaqësuesi i Lartë në BeH, Christian Schmidt, tha pas seancës se u vendos që komuniteti ndërkombëtar duhet të mbajë të gjitha instrumentet e nevojshme për të siguruar dhe respektuar Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit.

Drejtorët politikë të Komitetit Drejtues të Këshillit për Zbatimin e Paqes u takuan më 19 dhe 20 qershor 2024, për të vlerësuar mundësitë në lidhje me Marrëveshjen e Përgjithshme Kornizë për Paqen në Bosnjë e Hercegovinë.

Sesioni dyditor u fokusua në mundësitë dhe sfidat kryesore me të cilat po përballet BeH-ja. “Falënderoj komunitetin ndërkombëtar që më dha mbështetjen unanime, si dhe gjithashtu për vërejtjen se mandati im vazhdon të zbatohet ashtu siç është, dhe se komuniteti ndërkombëtar ruan të gjitha instrumentet e nevojshme për të siguruar dhe respektuar Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit”, tha Schmidt në një konferencë për shtyp në Sarajevë dhe shtoi:

“Mendoj se edhe një herë theksohet qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare, sepse ne po fillojmë një bashkëpunim intensiv në lidhje me zhvillimin e ardhshëm të situatës në Bosnjë e Hercegovinë.”

Ai theksoi se një nga konkluzionet e sesionit të PIC është rëndësia që Bosnjë e Hercegovina të vazhdojë në rrugën e integrimeve evropiane.

“Ne të gjithë po veprojmë së bashku në mënyrë që Bosnjë e Hercegovina të ecë drejt integrimit dhe sigurisë evropiane. Ju e dini se zgjedhjet komunale do të mbahen në BeH më 6 tetor, dhe ne jemi mirënjohës që të gjitha partitë politike janë regjistruar për këto zgjedhje, dhe se ka disa rregulla transparente që janë futur dhe që janë kërkuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian - OSBE.

Tani duam që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Bosnjë e Hercegovinës t'i zhvillojë me sukses zgjedhjet dhe të dërgojë një mesazh se ne kujdesemi për zgjedhje të lira dhe të ndershme në këtë vend, se nuk pranojmë mashtrime zgjedhore dhe se kjo do të ketë pasoja të rënda”, tha Schmidt.

Ai theksoi se gjatë seancës së PIC kanë pasur rastin të dëgjojnë prezantimin e Camil Durakoviq - nënkryetar i, entitetit të Republikës Sërpska në BeH

"Ne dëgjuam gjëra jo aq të mira nga ai, dhe vumë re se numri i sulmeve ndaj të kthyerve po rritet në të gjithë Bosnjë e Hercegovinën, dhe kjo është veçanërisht rasti në RS. Gjithashtu duket se autoritetet e RS-së dhe policia e RS-së duhet të bëjnë më shumë për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët që jetojnë në atë entitet. Ne do të monitorojmë më nga afër situatën në atë zonë”, theksoi Schmidt.

Ai tha se sjellja e autoriteteve të RS-së, e cila është kundër Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, nuk do të tolerohet.

"Në komunikatë, PIC bën thirrje për të hequr dorë nga politika e RS-së e cila nuk njeh dhe nuk arrin bashkëpunim me përfaqësuesin e lartë. Autoritetet e RS-së duhet të respektojnë Marrëveshjen e Dejtonit dhe duhet të bashkëpunojnë aktivisht me përfaqësuesin e lartë. ”, tha Schmidt.

Ai kujtoi gjithashtu se Bosnjë e Hercegovina është një shtet sovran me karakter multietnik.

“Ne do të mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës, siç është rënë dakord në Marrëveshjen e Dejtonit”, tha Schmidt dhe theksoi edhe një herë rëndësinë e aspiratave euroatlantike të BeH-së:

"Pas këtij sesioni të PIC-it, ne jemi më të fortë jo si një komunitet ndërkombëtar, por në synimin tonë për të punuar drejt së ardhmes evropiane dhe integrimit transatlantik të BeH-së dhe integrimit në Bashkimin Evropian."

Bordi i Drejtorëve të PIC-it do të mbajë mbledhjen e radhës të rregullt më 3 dhe 4 dhjetor 2024.

AA