SEF: Diskutohen faktorët dhe mënyra e daljes nga kriza energjetike    Foto: Dimitar Kovaçevski / Facebook

Sot në Shkup u mbajt panel diskutim me temë "Transformimi i drejtë social i energjisë së Evropës" në kuadër të Forumit të dytë Socio-ekologjik (SEF).

Dimitar Kovaçevski: Të përkushtohemi në këto tre parime

Si nikoqir i këtij organizimi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski deklaroi se goditja më e madhe për stabilitetin e tregut të energjisë elektrike erdhi pas luftës që filloi Rusia në Ukrainë.

Sipas tij, për këtë shkak ka pasur mungesë të energjisë në Evropë, veçanërisht gazit natyror, i cili varet edhe nga çmimi i energjisë elektrike dhe furnizimi me energji elektrike.

“Nga një treg i energjisë elektrike i cili për shumë vite ishte treg blerësish, ku blerësit praktikisht thoshin sa u duheshin dhe ata përcaktonin çmimin e energjisë elektrike, tani jemi në treg të shitësve sepse ka mungesë të energjisë elektrike dhe ata normalisht e përcaktojnë çmimin në bursë dhe sa dhe ku do të dorëzohen sasitë”, tha Kovaçevski.

Në kushte të tilla, ajo që duhet bërë, sipas tij, duhet të bazohet në tre parime, përkatësisht bashkëpunimin, investimin dhe solidaritetin.

Albin Kurti: Çdo krizë kërkon bashkëpunim

Në fjalimin e tij në këtë panel, kryeministri i Kosovës Albin Kurti theksoi se çdo krizë kërkon bashkëpunim.

“Kapërcimi i problemeve komplekse kërkon ndërtimin e aleancave të forta për të ndërtuar shoqëri elastike në Evropë dhe më gjerë. Besoj se kriza energjetike mund të tejkalohet vetëm nëse kërkojmë zgjidhje për rajonin, e jo vetëm për ne, si zgjidhje individuale”, theksoi Kurti.

Ai tha se Qeveria e Kosovës është duke hedhur baza të reja për sektorin e ardhshëm të energjisë në mënyrë që të sigurojë energji të pastër, efikasitet energjetik, pjesëmarrje aktive të qytetarëve dhe mbështetje për grupet e cenueshme.

“Deri në vitin 2031 do të ndërtojmë 14 mijë megavat objekte të fuqishme diellore. Duhet të rriten investimet në amvisëri me efikasitet energjetik dhe sisteme efikase të ngrohjes”, u shpreh Kurti.

Damian Gjiknuri: Shqipëria nuk ndryshon nga sfidat e vendeve tjera

Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Damian Gjiknuri theksoi se ajo që po bën Shqipëria nuk ndryshon nga sfidat e vendeve të tjera.

“Shqipëria varej vetëm nga një burim, hidrocentrali, i cili përfaqëson një cenueshmëri në këto kohë krize - kjo theksoi rëndësinë e nevojës për burime të shumta energjie. Politika kryesore e të gjitha vendeve të rajonit dhe Evropës duhet të jetë kombinimi i atyre burimeve të ndryshme, të cilat do t'i bëjnë ato konkurruese në tregun e energjisë”, tha Gjiknuri.

Forumi socio-ekologjik organizohet nga Fondacioni "Friedrich Ebert", Qendra Ndërkombëtare "Olof Palme" dhe Progress - Instituti për Demokraci Sociale.

TRT Balkan