Në pikën kufitare Serbi-Kosovë, Muçibabë në Preshevë, autoritet serbe e kanë ndaluar dhe mbajtur mbi një orë Ardita Sinanin nënkryetaren e Partisë për Veprim Demokratik dhe njëherësh Këshilltare Politike e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Duke e përshkruar ndalimin nga policia kufitare serbe, Sinani, tha se ky rast, sigurisht do të jetë vetëm shtytje edhe më e madhe për të folur me zë edhe më të lartë për diskriminimin shtetëror serb ndaj shqiptarëve.
"Arsyetimi i vetëm që m'u dha nga policët kufitarë të Serbisë 'Kemi urdhër për ndalimin tuaj dhe nuk mund të të lejojmë ta kalosh kufirin pa marrë pëlqim nga baza. Asnjë sqarim shtesë për arsyen, ose se kush është baza që duhet pyetur dhe marrë leje për të kaluar kufirin.
Ndaj këtij rasti ka reaguar edhe kryetari i PVD-së, Shaip Kamberi, njëherësh deputet i vetëm në Kuvendin e Serbisë, duke thënë se ka kërkuar sqarime nga policia në Preshevë dhe nga ministri i Punëve të Brendshme lidhur me këtë incident.
"Është e qartë se policia politike e Aleksandar Vulinit, i akuzuar nga ShBA-ja për 'trafikim me narkotikë dhe armë, për përfshirje në afera korruptive', nëpërmjet përndjekjes së figurave politike po synon të nxisë tensione në Luginë të Preshevës", shkruan Kamberi.