Serbia dhe Hungaria do të ndërtojnë hekurudhën e shpejtë Beograd-Budapest                          Foto: AA

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha sot se ai pret që deri në vitin 2026 të mund të udhëtojë me tren të shpejtë nga Beogradi në Budapest dhe se do të ndërtohet një tubacion i ri i naftës Novi Sad - Algyo.

Vuçiq tha në Budapest, në një konferencë për media me kryeministrin hungarez Viktor Orban, se udhëtimi nga Beogradi në Budapest do të zgjasë 2 orë e 40 minuta.

"Ajo do të jetë linja më e bukur, më e mirë, do të thosha, në Evropë. Pastaj do të keni serbë nga Beogradi që do të vijnë për gullash hungarez, për drekë në rrugën Vaci. Besoj se do të tërheqim shumë banorë të Budapestit, por edhe të qyteteve të tjera hungareze, në Beograd, në rrugën Knez Mihailov", tha presidenti serb.

Vuçiq theksoi se do të ndërtohet një tubacion i ri i naftës Novi Sad - Algyo.

"Projektimi paraprak ka përfunduar, tani është duke u bërë një studim fizibiliteti. Besoj se së shpejti do të jemi në gjendje t'i përfundojmë këto aktivitete përgatitore dhe të fillojmë ndërtimin e tubacionit të naftës", tha ai.

Pala hungareze pritet të investojë 320 milionë euro përgjatë rrugës Szazhalombatta - Algyo - Roszke dhe ndërtimi pritet të zgjasë tre vjet.

Ai theksoi se Serbia është dëshmuar se është një partner dhe aleat i besueshëm edhe në ekonomi.

"Hungaria na ndihmoi me objektet e saj të depozitimit të gazit. Nëse nuk do të kishte depo gazi në Hungari, pyetja është nëse do të kishim mjaftueshëm kur ditët më të ftohta apo më të nxehta janë në Serbi," tha Vuçiq.

TRT Balkan / agjencitë