Qeveria e Serbisë ka marrë vendim për themelimin e shkollës së mesme për punë të brendshme “Jakov Nenadović” në Sremska Kamenicë, është bërë e ditur sot në Gazetën Zyrtare.
Kjo shkollë duke filluar nga viti shkollor 2023/2024 do të zbatojë planet dhe programet e mësimdhënies dhe aftësimit profesional për një kohëzgjatje katërvjeçare.
Planet dhe programet do të jenë në fushën e punës së shkollës profesionale, përkatësisht për ekonomi, juridik dhe administratë.
Selia e shkollës do të jetë në rrugën Železnička nr. 22, ndërsa për themelimin, organizimin dhe punën e tij do të zbatohen rregulloret për shërbimet publike dhe për arsimin dhe aftësimin.
Mjetet për fillimin e punës dhe kryerjen e aktiviteteve të Shkollës janë paraparë në buxhetin e Serbisë.
Deri në emërimin e Bordit të Shkollës, është krijuar Bordi i Përkohshëm i Shkollës, i cili do të miratojë Statutin e Shkollës deri më 15 shkurt.
Ushtruese e detyrës së drejtoreshës së shkollës është emëruar Vesna Gjuroviq, profesoreshë e edukimit fizik nga Sremska Kamenicë.
Thuhet se përkrahja profesionale dhe administrativo-teknike e Shkollës në zhvillimin e provimit pranues për regjistrimin e nxënësve në vitin shkollor 2023/2024 do të sigurohet nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Nxënësit e regjistruar do të pajisen me akomodim dhe ushqim në internatin e Ministrisë së Brendshme, si dhe me tekste, mjete shkollore, veshje, këpucë dhe pajisje të tjera të nevojshme për ndjekjen e mësimit dhe qëndrimin.
Kujtojmë se kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ditë më parë paralajmëroi konkurs për pranimin e 5.000 të rinjve në njësitet speciale ku rroga do të arrijë deri në 2.700 euro.
Ai kishte theksuar se qëllimi është fuqizimi i mëtejshëm i njësive të dalluara speciale, ndërsa pagat e larta do t'i përdorin për t'i inkurajuar të rinjtë që të aplikojnë në njësitë speciale të Ushtrisë Serbe.