Presidenti amerikan Joe Biden ka zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme mbi atë që po ndodh në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht mbi krizën në veri të Kosovës.
Në mesazhin e saj dërguar Kongresit, Shtëpia e Bardhë thekson se situata aktuale në Ballkanin Perëndimor po pengon përparimin drejt qeverisjes efektive, demokratike dhe integrimin e plotë në institucionet transatlantike.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, aktet e dhunës ekstremiste përbëjnë një kërcënim dhe, për këtë arsye, presidenti Biden ka vendosur vijimin e emergjencës kombëtare të shpallur në Urdhrin Ekzekutiv 13219 në lidhje me Ballkanin Perëndimor.
“Aktet e dhunës ekstremiste, aktivitetet joprogresive, si dhe situata në Ballkanin Perëndimor, e cila pengon përparimin drejt qeverisjes efektive, demokratike dhe integrimit të plotë në institucionet transatlantike, të përshkruara në këto Urdhra Ekzekutive vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme e Shteteve të Bashkuara. Prandaj, kam vendosur se është e nevojshme të vazhdojë emergjenca kombëtare e shpallur në Urdhrin Ekzekutiv 13219 në lidhje me Ballkanin Perëndimor”, përfundon njoftimi i Shtëpisë së Bardhë.
Shtëpia e Bardhë shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në vitin 2001 në Ballkanin Perëndimor, e rivendosi në vitin 2003 dhe në 2021. Kur gjendja e jashtëzakonshme do të përfundonte më 26 qershor të këtij viti, ShBA-ja vendosi ta zgjasë me 1 vit duke marrë në konsideratë situatën e tensionuar në veri të Kosovës.
Një ditë më parë, i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se situata e tensionuar në mes Kosovës dhe Serbisë “ka potencial të bëhet një konflikt rajonal”.
“Jam shumë i shqetësuar se kjo situatë ka potencial të bëhet një konflikt rajonal, një konfrontim rajonal, prandaj ne jemi shumë, shumë mbështetës të përpjekjeve evropiane... Shtetet (Kosova dhe Serbia) janë në Evropë, aspirata e tyre më e lartë është të jenë pjesë e Evropës dhe ndërsa normalizojnë marrëdhëniet e tyre, po harmonizojnë gjithashtu sistemet e tyre me Evropën dhe gjithashtu si mbështetësi më i madh i Kosovës ne do të dëshironim t'i shihnim si pjesë të NATO-s, si pjesë e Bashkimit Evropian, kështu që ajo që ne duam është një proces që adreson shqetësimet e pesë (shteteve) mosnjohësve, dhe ky duhet të jetë një proces evropian”, ka thënë ai.
Escobar ka folur në një debat të Këshillit të Atlantikut në Uashington ndërsa ka përmendur edhe policët kosovarë të rrëmbyer nga Serbia, lirimi i të cilëve ka thënë se duhet të ndodhë menjëherë.