Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, dha sot një mesazh me rastin e 112-vjetorit të themelimit të Forcave të Armatosura.
“112 vjet nga dita e themelimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gurthemel i shtetformimit”, u shpreh Vengu në një postim në rrjetet sociale.
Ai theksoi se janë 112 vjet krenari, përkushtim dhe sakrificë në shërbim të atdheut, simbol i qëndresës dhe sigurisë kombëtare.
Ministri Vengu shprehu respekt dhe mirënjohje për të gjithë ushtarakët që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit.
Ne 4 dhjetor 1912, vetëm 6 ditë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, u krijua Ushtria Kombëtare. Për herë të parë në historinë shekullore të vendit u krijua Ministria e Mbrojtjes Kombëtare, (Ministria e Luftës) e drejtuar nga Mehmet Deralla (Tetova) dhe Shtabi i Përgjithshëm i drejtuar nga major Ali Shefqet Shkupi.
Strukturat kryesore përbërëse të saj ishin forcat aktive, rezervë ato vullnetare si edhe Xhandarmëria me 12.000 personel gjithsej.