Në Shkup u mbajt Takimi i 10-të Ndërkombëtar i Poezisë Turke “Yahya Kemal Beyatlı”.
Në programin e organizuar nga Lidhja e Organizatave Joqeveritare Turke të Maqedonisë (MATÜSITEB) nën kujdesin e Ministrive të Kulturës dhe Turizmit të Türkiyes dhe Maqedonisë së Veriut, me mbështetjen e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe nën kryesimin e Shoqatës Köprü, morën pjesë nënkryetari i TIKA-s, Mahmut Çevik, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend, poetë dhe dashamirës të letërsisë.
Në deklaratën e tij për gazetarët para programit, Çevik kujtoi se ky takim poetik organizohet me rastin e 140-vjetorit të lindjes së poetit Yahya Kemal Beyatlı, në kuadër të 21 Dhjetorit, Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke, që është festë e komunitetit turk në Maqedoninë e Veriut.
Duke vënë në dukje se për Yahja Kemalin do të flasin me poetë dhe shkrimtarë si nga Türkiye, ashtu edhe nga vendet fqinje, Çevik tha: “Do të flasim për kuptimin e tij për poezinë dhe kulturën.
Sepse ne e dimë se me poezi, populli turk ka transmetuar brez pas brezi gjuhën, traditën, kulturën, dashurinë, respektin dhe historinë e tij.
Poezia është përdorur si një instrument për të shpjeguar dashurinë për njërin-tjetrin, respektin dhe historinë e popullit turk”.
Ndërkaq, kryetari i MATÜSİTEB-it, Tahsin İbrahim, tha se besojnë do të përcjellin gjuhën turke me poezitë nga poetë të botës turke, nga Turkestani Lindor e deri në Shkup.
Drejtori i Institutit Yahya Kemal, Prof. Dr. Mehmet Samsakçı, i informoi të pranishmit për jetën dhe veprat e Yahya Kemal Beyatlıut, ndërsa Leyla Şerif Emin nga Maqedonia e Veriut, Zeynel Beksaç nga Kosova dhe poetë të tjerë nga rajoni dhe Türkiye, lexuan poezitë e tyre.
Yahya Kemal Beyatlı, një nga poetët mjeshtër të letërsisë turke, emri i vërtetë i të cilit ishte Ahmed Agah, lindi më 2 dhjetor 1884 në Shkup.