Ndikimet i gjuhës turke në Ballkan në fushat sociale, kulturore dhe letrare u diskutuan në një aktivitet onlajn të organizuar nga Fondacioni Turk Maarif (TMV) në kuadër të Festës së Gjuhës Turke, me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollave në vendet ballkanike.
Nisur nga dita e Festës së Gjuhës Turke, e cila shënohet çdo vit më 26 shtator, Fondacioni Turk Maarif, Përfaqësia në Shqipëri e Fondacionit Turk Maarif dhe Universiteti New York Tiranë, organizuan aktivitetin “Festa e gjuhës turke – Ndikimi i turqishtes në Ballkan”.
Kryetari i TMV-së, Birol Akgün, i cili mbajti fjalën e hapjes së aktivitetit, u shpreh se turqishtja ka një ndikim të madh në kulturën ballkanike.
“Akumulimi kulturor që vjen nga një histori e përbashkët dhe të jetuarit së bashku ndër shekuj vazhdon ende sot në rrugicat, rrugët dhe qytetet e vendeve ballkanike”, tha ai.
Akgün deklaroi se Fondacioni Turk Maarif po bën përpjekje intensive për të mësuar gjuhën turke në shkollat e Ballkanit.
“Ekzistenca jonë, si Fondacioni Turk Maarif, do të thotë të ushqejmë këto lidhje të thella kulturore që vijnë nga historia në Ballkan dhe të përmbushim funksionin e një ure kulturore”, shtoi ai.
Rektori i Universitetit New York të Tiranës (UNYT), prof. dr. Ali Güneş, vuri në dukje se gjuha nuk është vetëm një mjet komunikimi, por edhe një element i rëndësishëm në transferimin e trashëgimisë kulturore.
“Turqishtja ishte një nga elementët më të rëndësishëm që mishëroi trashëgiminë e Perandorisë Osmane dhe siguroi transferimin e saj nga brezi në brez”, tha ai.
Duke theksuar se aktivitetet e TMV-së në Ballkan forcojnë ndërveprimet rajonale duke prezantuar gjuhën dhe kulturën turke, Güneş tha: “Sot, turqishtja shërben si urë për shkëmbimin kulturor dhe bashkëpunimin ekonomik në rajonet me një popullsi të dendur turqishtfolëse, siç është Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria”.
Përfaqësuesi i Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar, theksoi se turqishtja bazohet në histori mijëravjeçare.
“Si shkolla Maarif në Shqipëri, ne do të vazhdojmë të punojmë për të ruajtur ekzistencën e turqishtes dhe elementet kulturore të komuniteteve turke në gjeografinë ku gjendemi, si dhe për t’ia transferuar atë brezave të ardhshëm. Kjo trashëgimi është një thesar shumë i vlefshëm për ne dhe është përgjegjësi e të gjithë neve që ta ruajmë atë”, theksoi Özbaysar.
“Gjuha turke po përjeton një ringjallje”
Ish-deputeti i AK Partisë, prof. dr. Mustafa İsen, bëri një prezantim të titulluar “Festa e gjuhës turke dhe gjeografia e turqishtes”, ku tërhoqi vëmendjen për praninë kulturore turke në gjeografinë ballkanike gjatë dhe pas periudhës osmane.
Duke theksuar se ka shumë fjalë që kanë ardhur nga turqishtja në gjuhët ballkanike, İsen tha: “Pothuajse të gjitha fjalët që lidhen me qytetërimin janë fjalë të ardhura nga turqishtja. Gjërat shtëpiake, emrat e ushqimeve dhe shumica e fjalëve që shprehin jetën e përditshme të qytetit kanë ardhur nga turqishtja”.
Pas fjalimeve, nxënësit e shkollave në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Rumani dhe Hungari dhanë shembuj të fjalëve, fjalëve të urta dhe idiomave turke që përdorin në jetën e tyre të përditshme dhe lexuan pjesë nga poezi të shkruara turqisht nga poetë në vendet e tyre.
Pas prezantimeve të nxënësve u mbajtën prezantime akademike me titull “Studimet turke në Ballkan dhe ndikimet e turqishtes" dhe "Ndikimi i turqishtes në Ballkan".
Aktiviteti u mbyll me seancën përmbyllëse dhe vlerësime.