Në incidentin tragjik që ndodhi sot në stacionin e trenit në Novi Sad, kur rreth mesditës u shemb një pjesë në hyrje të ndërtesës së stacionit, humbën jetën gjithsej 14 persona.
Informacionet e fundit vijnë nga Prokuroria e Lartë Publike në Novi Sad, e cila ka konfirmuar shifrën e re të viktimave, duke bërë të ditur se në mesin e tyre janë edhe dy femra.
Gjithashtu, për shkak të lëndimeve të marra në këtë ngjarje, në Qendrën Klinike të Vojvodinës janë pranuar tre persona, identiteti i të cilëve ende nuk është bërë i ditur, por bëhet e ditur se dy janë femra dhe një mashkull.
Prokuroria bën me dije se po ndërmerren të gjitha masat dhe veprimet në përputhje me ligjin, për konstatimin e ekzistencës së elementeve të veprës penale dhe përgjegjësisë për atë që ka ndodhur.
Sot rreth mesditës ka ndodhur një aksident në Novi Sad kur është shembur tenda në hyrje të ndërtesës së stacionit hekurudhor.
Ekipet e shërbimeve emergjente ndodhen ende në vendin e aksidentit, prej ku më herët është nxjerrë e gjallë një vajzë 14-vjeçare.
Kryeministri Millosh Vuçeviq shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave, duke e cilësuar këtë ditë si një nga më të vështirat në historinë e Novi Sadit të pasluftës. Vuçeviq theksoi se do të kryhet një hetim i detajuar për të përcaktuar shkaqet e sakta të shembjes dhe përgjegjësinë, me qëllim parandalimin e tragjedive të ngjashme.
Ndërkohë, një numër i madh njerëzish nga Novi Sadi iu përgjigjën thirrjes për dhurim gjaku pas tragjedisë, ndërsa persona të shumtë u mblodhën gjithashtu para Qendrës Emergjente të Vojvodinës për të marrë informacione për gjendjen e të afërmve të tyre.
Qeveria e Serbisë e shpalli 2 nëntorin Ditë zie në gjithë vendin.