Tri gra kanë humbur jetën në aksidentin që ka ndodhur pasditën e së enjtes në rrugën mes fshatit Rashçe dhe Sarajit në qytetin e Shkupit, njoftuan autoritetet.
Trupat u gjetën në makinën që kishte humbur drejtimin duke u rrokullisur në ujërat e lumit Vardar me çka njoftohet se kërkimet vazhdojnë për personin e katërt i cili po ashtu ka qenë në veturë në momentin e aksidentit.
“Automjeti që është aksidentuar në Vardar afër fshatit Rashçe është tërhequr. Prej saj janë nxjerrë trupat e tre personave. Vazhdojnë kërkimet për personin e katërt”, tha drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza (QMK), Stojanço Angellov.
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut informoi se kalimtarë të rastit kanë sjellur një fëmijë katërvjeçar në spitalin e qytetit "Shën Naumi i Ohrit", i cili pastaj u dërgua në Qendrën klinike në Shkup dhe është në gjendje stabile.
Në tërheqjen e automobilit janë përfshirë ekipe të zjarfikësve, punonjës të Qendrës për menaxhim me kriza si dhe ekip të njësisë speciale “Tigrat”.
Aksidenti ishte denoncuar në polici rreth orës 16.