Shkup: Liderët rajonalë diskutuan planin e rritjes së Ballkanit Perëndimor. / Foto: Dimitar Kovaçevski (facebook)

Maqedonia e Veriut ishte nikoqire e takimit të liderëve nga rajoni kushtuar Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të miratuar nga Komisioni Evropian.

Në këtë takim kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski në deklaratën e tij para fillimit të takimit u shpreh se ky është një takim jashtëzakonisht i rëndësishëm.

"Qëllimi është, siç e kemi paralajmëruar, të diskutohet plani i rritjes në Ballkanin Perëndimor, i cili paraqet një veprim vërtet konkret të BE-së në drejtim të rritjes së bashkëpunimit rajonal ndërmjet shteteve, por edhe të tregut të përbashkët evropian", tha Kovaçevski.

Rama: Flamuri më i rëndësishëm është ai i BE-së

Nga ana tjetër, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama duke folur për planin e ri të rritjes së Ballkanit Perëndimor, nënvizoi rëndësinë e kësaj iniciative jo vetëm për shtetet e rajonit, por edhe për stabilitetin, paqen dhe prosperitetin e gjithë rajonit në përgjithësi.

“Patjetër se duhet të vendosim një rreth politik sikur kishim mbrëmë. Të takohemi rregullisht për shkak se edhe pse jemi shumë entuziastë ne jemi ballkanas. Nëse nuk vini për të na ulur bashkë në tryezë mund t’i bëjmë punët pis. Koordinimi teknik është shumë i rëndësishëm, ministrat ekonomikë të kenë mesazh të qartë nga liderët se duhet të harrojnë historinë, andaj duhet të harroni se cila ngjyrë është flamuri i vendeve tona. Flamuri më i rëndësishëm është ai i BE-së, duhet të ulemi dhe teknikisht t’i diskutojmë detajet, shiritat e gjelbër dhe kështu me radhë që të realizojmë këtë”, deklaroi Rama.

Kurti: Për t’u integruar rajoni ekonomikisht, kërcënimet e sigurisë duhet të ndërpriten

Edhe Kurti u shpreh se vendi i tij në takim do të dorëzojë listën e reformave të diskutuara, në qendër të të cilave është reforma në administratën publike.

“Plotësisht e pranojmë qasjen që i kushtëzon mjetet me përafrimin e vlerave të BE-së, po ashtu i rrit përfitimet e Ballkanit Perëndimor dhe njëkohësisht e rrit edhe anëtarësimin e plotë për ata që janë të përkushtuar. Besojmë se aderimi në BE duhet të bazohet në merita. Kosova është e gatshme për reforma që rajoni të integrohet ekonomikisht dhe qytetarët të përafrohen. Kërcënimet e sigurisë duhet të ndërpriten. Kërkova besim dhe marrëdhënieve ndërmjet vendeve tona dhe popujve tanë. Kjo nuk mund të ndodh nëse liria për mallra shfrytëzohet që të barten municione”, theksoi Kurti.

Spajiq: Plani i rritjes së BE-së paraqet mundësi të madhe për të gjithë ne

Deklaratë për media kishte edhe kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, i cili u shpreh se plani i rritjes është një sinjal i fuqishëm për kompanitë.

"Mali i Zi, si të gjithë të tjerët, është i kënaqur që është pjesë e këtij koncepti. Plani i rritjes së BE-së paraqet një mundësi të madhe për të gjithë ne. Mezi presim t'ia fillojmë dhe dëgjojmë se është e mundur ta kemi që nga ky vit dhe mendoj se është një sinjal shumë i rëndësishëm jo vetëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe për bizneset që duan të investojnë në Ballkanin Perëndimor", tha Spajiq.

Vuçiq: Jemi të hapur për të gjitha idetë për tregun e përbashkët rajonal

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, nga ana e tij, tha se për të është e rëndësishme çdo ndihmë që mund t'u ofrohet kompanive dhe bizneseve.

“Kur flasim për tregun e përbashkët rajonal ne jemi të hapur për të gjitha idetë, të gatshëm për të realizuar dhe besojmë thellë se mund të bëjmë këtë. Unë kam një lutje të madhe për të gjithë ju organizatat rajonale të BE-së që të na ndihmoni me çështje që ne duhet të zgjedhim disa probleme të mëdha me të cilat do të ballafaqohemi. E dini se duhet të harmonizohemi kur flasim për masat ekonomike dhe për politika të ndryshme para se të hyjmë në BE”, deklaroi Vuçiq.

Në takimin e liderëve nga rajoni kushtuar Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të miratuar nga Komisioni Evropian morrën pjesë edhe Gert Jan Koopman, drejtor i përgjithshëm për negociatat e fqinjësisë dhe zgjerimit në Komisionin Evropian, si dhe James O'Brien, ndihmëssekretar amerikan i Shtetit i për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike.

TRT Balkan