Shkup, Mickoski: Ftojmë investitorët turq që të vijnë në numër sa më të madh           / Foto: AA

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, tha se investitorët turq janë të mirëseardhur dhe bëri thirrje që ata të vijnë në numër sa më të madh në Maqedoninë e Veriut.

Mickoski mori pjesë në forumin e biznesit “Dialog mes sektorit të biznesit dhe Qeverisë”, organizuar nga Oda Ekonomike Maqedoni-Türkiye (MATO), ku u shkëmbyen mendime për rrjedhat ekonomike, ndërsa Qeveria prezantoi planet për investime në të ardhmen.

Në forum mori pjesë edhe ambasadori i Türkiyes në Shkup, Fatih Ulusoy, i cili mbajti edhe fjalimin e tij. Në takim, përveç kryeministrit Mickoski, morën pjesë zv/kryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski, ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski, ministri i Ekonomisë dhe i Punës Besar Durmishi, si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera.

Kryeministri Mickoski theksoi se për të ekonomia është shumë e rëndësishme, thelbësore. Ai tha se një diskutim i hapur dhe i drejtpërdrejtë është shumë më produktiv.

“Te kjo qeveri dhe tek unë personalisht shikoni si në një partner që dëshiron të ndihmojë dhe të fitojë bashkë me ju. Ju jeni njerëzit që funksiononi këtu. Ju jeni heronj që siguroni paga për punonjësit që qëndrojnë në këtë vend dhe që ne luftojmë t'i mbajmë këtu. Ne duam t'ju ndihmojmë, natyrisht brenda ligjit dhe Kushtetutës, si dhe do të bëjmë gjithçka që mundemi për t'ju ndihmuar. Le të kemi një partneritet dhe marrëdhënie të ndershme. Investitorët turq janë të mirëseardhur, i ftojmë në një numër sa më të madh që të vijnë, të investojnë këtu, të investojmë së bashku në projekte që janë me rëndësi strategjike”, tha kryeministri Mickoski.

Ambasadori Ulusoy, nga ana e tij, tha se Türkiye e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë përmes institucioneve të ndryshme vendin miqësor dhe vëllazëror të Maqedonisë së Veriut, me të cilën kanë marrëdhënie të ngushta historike dhe njerëzore që nga pavarësia e saj.

Ai tha se gjatë periudhës së qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut janë të vendosur për të rritur më tej marrëdhëniet dhe bashkëpunimin dypalësh, ndërsa vizitën e parë zyrtare në vend pas ardhjes së qeverisë në detyrë është bërë nga kryediplomati turk Hakan Fidan.

Duke shprehur shpesën se vizitat e ndërsjella të nivelit të lartë do të vazhdojnë edhe në muajt në vijim, ai njoftoi se vazhdojnë punimet përgatitore për vizitën zyrtare të ministrit turk të Tregtisë Ömer Bolat në Shkup, i cili gjithashtu pritet të marrë pjesë në një forum biznesi Türkiye-Maqedoni e Veriut.

Duke u shprehur se synimi i tyre për të rritur vëllimin tregtar mes dy vendeve, i cili ka arritur në një miliardë dollarë, në dy miliardë dollarë, nuk është një ëndërr por një qëllim që mund të arrihet në afat të shkurtër, Ulusoy tha se kontributi më i madh në këtë synimi do të jetë përditësimi i marrëveshjes ekzistuese të tregtisë së lire midis dy vendeve.

Ulusoy tha se firmat turke në Maqedoninë e Veriut veprojnë në shumë fusha dhe mundësojnë punësim për rreth 10 mijë njerëz, gjë që sipas tij ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në ekonominë e vendit.

Më tej, ai theksoi se kompanitë turke kanë interes të madh për të investuar në Maqedoninë e Veriut, ndërsa gjithashtu theksoi rëndësinë që autoritetet lokale të ofrojnë komoditet në shumë fusha, veçanërisht procedurat burokratike dhe lejet e punës për personelin.

Ulusoy gjithashtu tha se shohin potencial edhe në fushën e industrisë së mbrojtjes mes dy vendeve. “Ashtu siç i kushtojmë rëndësi paqes, qetësisë dhe sigurisë së vendit tonë, po aq rëndësi i kushtojmë paqes, qetësisë dhe sigurisë së Ballkanit, përfshirë Maqedoninë e Veriut. Në këtë kontekst, ne jemi të gatshëm të plotësojmë nevojat e industrisë së mbrojtjes të mikut dhe aleatit tonë, Maqedonisë së Veriut”, theksoi Ulusoy.

Fjalim hyrës kishte edhe kryetari i MATTO-s, Ajdovan Ademoski, i cili falënderoi përfaqësuesit e lartë të qeverisë që i kushtuan kohë këtij takimi në një grup kaq të madh.

“Oda Ekonomike Maqedoni-Türkiye është një odë ekonomike që lidh, një urë lidhëse mes dy vendeve, ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Türkiyes, që bën përpjekje për investime të gjitha këto vitet e kaluara. Një odë ekonomike e cila me përpjekjet e saj kontribuoi që sot në Republikën e Maqedonisë së Veriut të ketë mbi dy miliardë dollarë investime turke”, tha Ademovski, duke shtuar se kjo paraqet 38 për qind të investimeve të përgjithshme të bëra në Maqedoninë e Veriut.

Gjatë forumit të biznesit, përfaqësuesit e kompanive anëtare të MATTO-s patën mundësinë t'u drejtojnë pyetje drejtpërdrejt zyrtarëve të qeverisë dhe të informohen në detaje për mundësitë dhe mbështetjen e ofruar nga institucionet.

TRT Balkan / agjencitë