Në kampusin e Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik (IBU) në Shkup, është mbajtur një aktivitet me rastin e 20 nëntorit - Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve. Aktiviteti i organizuar nga klubi juridik dhe i psikologjisë pranë IBU-s mblodhi së bashku nxënës të kombësive të ndryshme nga mosha 7 deri 9 vjeç nga shkollat Ndërkombëtare të Fondacionit Turk Maarif në Shkup.
Asistentja ligjëruese në Departamentin e Psikologjisë në IBU, Sumea Ramadani, në deklaratën për AA tha se me rastin e kësaj dite kanë dashur t'i informojnë fëmijët për të drejtat e tyre.
"Siç e dimë, fëmijët më së bukuri, më së miri dhe në mënyrën më efektive mësojnë nëpërmjet lojës. Për këtë shkak neve bashkë me klubin studentor të juridikut këtu pranë Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik e kemi përgatitur një aktivitet me poster me të drejtat e fëmijëve. Nëpërmjet ngjyrave ua kemi lexuar fëmijëve të gjitha të drejtat e tyre. Pastaj ata duke e zgjedhur ngjyrën e tyre të preferuar e kanë zgjedhur të drejtën e tyre të preferuar", tha Ramadani.
Ajo tha se në këtë formë të gjithë fëmijët i kanë informuar për të drejtat e tyre, duke shtuar se në kuadër të IBU-s kanë zhvilluar edhe aktivitete të ndryshme për të shënuar këtë ditë.
Ali Fuat Taşdemir, një student i vitit të tretë në Fakultetin Juridik, si dhe kreu i klubit juridik "Ideal Law" pranë universitetit tha se aktivitetin e kanë organizuar së bashku me klubin e psikologjisë.
"Aktualisht bëhet fjalë për një luftë që po vazhdon në Gaza. E drejta e jetës, e cila është një nga të drejtat që kemi shkruar në fillim (të lojës që e kanë organizuar për fëmijët). Dëshira jonë është që të gjithë fëmijët ta përjetojnë këtë të drejtë. Fëmijët në Gaza kanë të drejtën e jetës, fëmijët në Gaza kanë të drejtën e arsimimit. Le t'i bëjmë një thirrje këtu, së bashku me kuptimin e ditës së sotme. Si të gjithë fëmijët, edhe ata kanë të drejtë të jetojnë", tha Taşdemir lidhur me aktivitetin që e kanë organizuar.