Shkup, Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik nis vitin e ri akademik /       Foto: AA

Është mbajtur ceremonia e hapjes së vitit të ri akademik 2024-2025 në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik (IBU) në Shkup.

Në ceremoni morën pjesë, zëvendësministri i Arsimit dhe i Shkencës i Maqedonisë së Veriut Lulzim Aliu, ambasadori turk në Shkup Fatih Ulusoy, rektori i IBU-s prof. dr. Lütfi Sunar, përfaqësues të Universitetit, përfaqësues të institucioneve turke në vend, akademikë dhe studentë.

Zv.ministri Aliu u shpreh se është nder për ta të gjenden në IBU për të shënuar fillimin e vitit akademik. Ai tha se sot nuk po i hapin vetëm dyert për një vit të ri akademik, por edhe mundësitë e reja për rritje, dije dhe bashkëpunim.

Duke u uruar sukses studentëve të IBU-s, Aliu tha: "Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik ka treguar gjithmonë përkushtimin e tij për standarde të larta të arsimit dhe jam i bindur që keni bërë zgjedhje të shkëlqyer për rrugëtimin tuaj akademik".

Ai potencoi se IBU ka një reputacion për nxitjen e një komuniteti të gjallë akademik, që sipas tij, janë elemente të rëndësishme në botën e sotme. Aliu shtoi se bashkëpunimi mes universiteteve dhe institucioneve publike është çelësi për adresimin e sfidave me të cilat përballemi si shoqëri.

"Këtu në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik me komunitetin tuaj të larmishëm dhe vizionin ndërkombëtar ju jeni në një pozicion të mirë për të kontribuar në sfidat rajonale dhe globale të sotme, qoftë në fusha si teknologjia, shëndetësia, ekonomia apo shkencat sociale. Dijet dhe aftësitë që do të fitoni këtu do t'iu fuqizojnë për të qenë individë aktivë të ndryshimit", u shpreh zv/ministri i Arsimit dhe i Shkencës, Aliu.

Ai tha se si Ministri mbështesin plotësisht përpjekjet e të gjitha universiteteve si IBU për të ndërtuar ura mes kulturave dhe kombeve të ndryshme.

Rektori i IBU-s, Sunar, tha se dita e sotme nuk është thjesht një hapje zyrtare, por një mundësi që ata të reflektojnë mbi vlerat që i bashkojnë si komunitet.

Duke rikujtuar se Universiteti është themeluar në vitin 2006, ai tha: "Ne jemi krenarë për komunitetin e gjallë global që kemi ndërtuar. Me 2.000 studentët tanë nga më shumë se 15 vende, ne ofrojmë një mjedis akademik dinamik dhe të larmishëm. Universiteti ynë tani ka 9 fakultete dhe 25 studime universitare dhe më shumë se 30 studime pasuniversitare".

Ai tha se me shumë universitete nga vende të ndryshme të botës kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, ndërsa Klinika Dentare hapjen e së cilës e bëjnë sot, është spitali stomatologjik më modern dhe më i pajisur në vend.

Sunar theksoi se pas disa javësh me mbështetjen e Halkbank do të hapin një librari, duke e falënderuar menaxhmentin e Halkbank për mbështetjet e tyre.

Në fjalimin e tij, rektori i IBU-s u ndal edhe në ndodhitë në Gaza. "Në dritën e luftës që vazhdon dhe krizës humanitare në Gaza, më duhet të nënvizoj përgjegjësitë që universitetet si i ynë mbajnë në momente të tilla. Si institucione të përkushtuara ndaj dijes, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor, ne nuk mund të heshtim ndërkohë që mizori të tilla ndodhin. Është detyra jonë morale të rrisim ndërgjegjësimin, të përfshihemi në dialog kritik dhe të frymëzojmë veprime për paqe dhe drejtësi", nënvizoi Sunar.

Në kuadër të aktivitetit u hap "Klinika Dentare Balkan" që do të veprojë në kuadër të IBU-s, ndërsa Sunar i informoi pjesëmarrësit në ceremoni rreth punës që do ta kryejnë këtu.

AA