Shkupi protestoi: “Stop për masakrën në Palestinë” / Foto: AA

Me moton “Mos hesht ndaj masakrës në Palestinë”, qytetarët nga etnikume të ndryshme në Shkup mbajtën protestë në mbështetje të popullit palestinez.

Ata kërkojnë nga autoritetet vendore dhe ndërkombëtare që të mos qëndrojnë indiferentë, por të dënohen sulmet barbare të Izraelit ndaj popullsisë civile në Gaza.

"Qëndrimi i pavendosur i komunitetit ndërkombëtar që ka mbyllur sytë ndaj shkeljeve sistematike të të drejtave njerëzore që vazhdojnë prej shumë vitesh ndaj popullit palestinez nuk përfaqëson aspak qëndrimin e qytetarëve me ndërgjegje të Maqedonisë së Veriut. Bëjmë thirrje për masa urgjente për t'u dhënë fund sa më parë këtyre sulmeve që vrasin vetë dinjitetin njerëzor. Sidmos si bashkësi të rajonit që kemi përjetuar masakra të shumta e gjenocid në fund të shekullit të 20-të, duam të shprehim solidaritetin tonë me vëllezërit tanë palestinezë", thuhet në komunikatën e organizatorëve.

Sipas qytetarëve të anketuar nga TRT Balkan, ka qenë e patjetërsueshme një protestë solidarizimi dhe ngushëllimi me popullin palestinez.

“Ne jemi këtu të protestojmë çmendurinë e Izraelit të cilën e bën vite me radhë, para 75 viteve që ka fillu, tash duhet me i thënë “Stop” krejt bota, pavarësisht a janë myslimanë apo jomyslimanë”, deklaroi Uzeir Idriz, protestues.

Për protestuesen Medina Çolevska nuk është reale situata në Gaza, me ç’rast po vriten popullsia e pafalshme civile.

“Qetësi në botë sepse kjo çfarë po ndodh nuk është reale, duhet urgjentisht të ndalohet. Fëmijë të pafajshëm, gra të pafajshme, njerëz të pafajshëm po vdesin, kjo është me të vërtetë situatë joreale”, deklaroi Medina Çolevska.

Protesta në fund u përcjell me lexim të vargjeve të Kuranit dhe faljen e namazit për viktimat në Gaza.


TRT Balkan