Shqipëri, aktivitet me studentë dhe ish-studentë të gjuhës turke                                                                            Foto: AA

Instituti "Yunus Emre" në Tiranë ka organizuar një aktivitet me fokus studentë dhe ish-studentë të kurseve të gjuhës turke.

Në aktivitetin e organizuar në ambientet e institutit ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, pedagogë, studiues, studentë, nxënës dhe artistë.

Në fjalën përshëndetëse në hapje të aktivitetit, drejtori i Institutit "Yunus Emre" për Shqipërinë, Oğuzhan Sakoğlu, u shpreh se qëllimi kryesor i takimit është të bashkëbisedojnë dhe të qëndrojnë nën shoqërinë e njëri-tjetrit.

"Ne si Institut ‘Yunus Emre’ vazhdojmë aktivitetin tonë që në vitin 2009 në Tiranë. Për sa u përket kurseve dhe programeve të gjuhës turke që ne zhvillojmë ato zhvillohen njëkohësisht edhe në institutin tonë, por gjithashtu edhe në institucione të tjera që ne kemi bashkëpunim", tha Sakoğlu.

Ai shtoi se gjithashtu vazhdojnë dhe programe tjera në lidhje me tema kulturore dhe artistike.

Pjesë e këtij aktiviteti ishin dhjetëra studentë dhe ish-studentë të kurseve të gjuhës turke që ka zhvilluar dhe zhvillon Instituti "Yunus Emre" në Tiranë dhe Shkodër.

Gjatë aktivitetit performuan edhe këngëtarja Selma Bekteshi dhe kitaristi Daniel Prendi.

Gjithashtu, u ndanë edhe certifikatat për pjesëmarrësit e kursit të shigjetarisë turke që ka organizuar Instituti "Yunus Emre" në Tiranë.

TRT Balkan / agjencitë