Viteve të fundit, Shqipëria, veçanërisht kryeqyteti, po njeh një rritje të ndërtimeve të reja, trend ky që reflektohet edhe te investimet në pasuritë e paluajtshme.
Megjithatë, ajo që vihet re është se një pjesë e konsiderueshme e banesave mbeten të pashfrytëzuara. Thënë ndryshe, rezultojnë bosh.
Ekspertja e patundshmërive, Ilda Zaloshnja, shpjegon për TRT Balkan se interesi kryesor për të blerë është në Tiranë dhe në zonat bregdetare të Shqipërisë.
“Tirana ka qenë gjithmonë destinacion qoftë i vetë banorëve të Tiranës, qoftë edhe i banorëve të ardhur nga rrethet e tjera, ashtu edhe e emigrantëve që kanë jetuar në shtete të tjera, kanë ardhur dhe kanë investuar në Tiranë”, shpjegon Ilda.
Sipas analistit Ergis Sefa, Censi i vitit 2023, në të cilin rezulton se vetëm në Tiranë ka afro 53 mijë banesa bosh, tregon që kemi të bëjmë me një paradoks dhe papërputhshmëri të kërkesës dhe ofertës, që vjen nga një sërë arsyesh.
“Duhet të kuptojmë që ka disa forma se si vjen ky stok. Një nga format është remitancat e huaja dhe investimet e huaja të cilat vijnë dhe shkojnë në sektorin e real estate-it (patundshmërive). Një formë tjetër është ajo e ruajtjes së vlerës së parasë, persona të cilët blejnë këtu dhe e duan banesën në një formë aseti për të ruajtur vlerën e parasë që kanë, para të cilat shpeshherë mund t’i kenë përfituar edhe në forma informale” thotë Ergisi.
Sipas Eurostatit, Shqipëria është një ndër vendet me të ardhurat për frymë më të ulëta në Evropë. Por, pavarësisht kësaj, Numbeo tregon se është e pesta më e shtrenjta në Evropë për të blerë apartamente.
“Këto çmime kanë njohur pikun e tyre gjatë dhe pas pandemisë, si në gjithë botën, për shkak të inflacionit, por edhe për një sërë arsyesh të tjera; rritje taksash, rritje e kostove të materialeve të ndërtimit” shpjegon Ilda.
Nga ana tjetër, Ergisi sjell në vëmendje ngjashmërinë midis situatës aktuale të çmimeve në Shqipëri, me atë të ShBA-së në vitet 2008-2009, duke e cilësuar si “flluskë”.
“Flluskë do të thotë një rritje e pompuar artificiale si pasojë e faktorëve të jashtëm, atyre që në ekonomi quhen eksternalitete të çmimeve dhe do të vijë një moment që do të duhet të plasë” analizon Ergisi.
Ndër të tjera, ekspertët kanë ngritur jo pak herë alarmin mbi efektet anësore në mjedis të ndërtimeve të shumta, si zvogëlimi i hapësirave të gjelbra ose ndotja e ajrit.