Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë (GjPAKKO) ka lënë në fuqi masën e sigurisë "arrest me burg" ndaj kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Alfred Beleri, i cili akuzohet për "korrupsion aktiv në zgjedhje".
Në një njoftim për mediat nga GjPAKKO-ja thuhet se gjykata sot vendosi miratimin e vendimit të datës 28 dhjetor 2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të Shqipërisë (GjKKO), duke mos ndryshuar masën e sigurisë.
Pas vendimit të fundit, Beleri do të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim, ndërkohë në njoftimin e gjykatës nuk jepen detaje të tjera.
Më 28 dhjetor të vitit të kaluar, GjKKO-ja vendosi të mos ndryshojë masën arrest me burg ndaj Belerit, duke rrëzuar kërkesën e tij për "revokim ose zëvendësim të masës së sigurisë".
Edhe në disa seanca të tjera, gjykatat në Shqipëri kanë rrëzuar kërkesat e Belerit për lirimin e tij, përfshirë edhe kërkesën për t'u betuar si kryebashkiak.
Aktualisht, çështja e Belerit është në gjykim në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ndërkohë ai akuzohet për "korrupsion aktiv në zgjedhje".