Gjatë 24 orëve të fundit sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile të Shqipërisë janë raportuar 23 vatra zjarri, nga të cilat është bërë i mundur izolimi i 19 vatrave.
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë Niko Peleshi ndau në rrjetet sociale të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile lidhur me situatën e zjarreve në vend.
Sipas AKMC-së, sot mbeten aktive vatrat në:vendgrumbullimin e mbetjeve të bashkisë Vlorë për të cilin janë angazhuar kapacitetet në nivel qarku të mbështetura nga kapacitete të pushtetit qendror dhe subjekte private.
Vatra e zjarrit në fshatin Malecaj të bashkisë së Lezhës, ditën e sotme vijon me intensitet të ulët.
Gjatë mbrëmjes së kaluar është bërë e mundur shmangia e rrezikut të kalimit të zjarrit në lagjet Shqut dhe ish-kampi të këtij fshati.
Po në këtë bashki zjarri në fshatin Torovicë është drejt shuarjes përfundimtare. Po vijojnë operacionin strukturat e pushtetit vendor të mbështetura nga FA-ja.
Është aktive vatra e zjarrit në fshatin Kameras, Bashkia Durrës për të cilin janë angazhuar ditën e djeshme kapacitetet e qarkut Durrës dhe Tiranë duke bërë të mundur shmangien e rrezikut për kalimin e zjarrit në sipërfaqe me pyll dhe ullinj shekullore.
Sot janë angazhuar shërbimi zjarrfikës dhe forca vullnetare.
Zjarri në fshatin Zogaj, bashkia Tropojë për të cilin ditën e djeshme kanë punuar Forcat e Armatosura, strukturat vendore të mbështetura nga një helikopter i KFOR-it. Vijojnë edhe ditën e sotme operacionin për vënien nën kontroll të zjarrit dhe shuarjen e tij.
Situata në bashkitë e qarqeve të tjera të vendit ditën e sotme paraqitet relativisht e qetë.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe FA-ja do të vijojnë të jenë në ndihmë të komunitetit në bashkëpunim me pushtetin vendor.